Endri Vrapi është futbollisti i dytë i Vllaznisë pas Elis Bakajt që nuk kanë pranuar të jenë në fushë kundër Tiranës.
Dy ish-lojtarët bardheblu ndihen në pozitë të vështirë për të luajtur të shtunën kundër Tiranës në një finale mbijetesë si për kryeqytetasit ashtu edhe për shkodranët.
Ditën e sotme, Endri Vrapi ka lënë grumbullimin e skuadrë së Vllaznisë në Uqini, ndërsa ka biseduar me drejtuesit e klubit kuqeblu mbi vendimin e tij për të mos luajtur kundër Tiranës.
I kontaktuar nga newsport.al, qendërmbrojtësi i Vllaznisë ka preferuar të qëndrojë në heshtje. Redaksia e newsport.al ka kontaktuar me Endri Vrapin përmes një mesazhi në Facebook, por lojtari pasi ka parë mesazhin nuk ka kthyer përgjigje.
Një shenjë kjo se Endri Vrapi preferon të mos e komentojë vendimin e tij për të mos qenë në fushë kundër Tiranës, duke u mjaftuar me bisedën dhe diskutimet që ka bërë me drejtuesit e klubit të Vllaznisë, të cilëve u ka shpjeguar edhe arsyen se përse nuk dëshiron të luajë kundër bardhebluve.