Partizani do të luajë ditën e hënë sfidën e radhës në kampionat ndaj Bylisit. Pas fitores ndaj Laçit në “Air Albania” të kuqtë luajnë në “Adush Muça” dhe kërkojnë vazhdisinë për të kapur Kupat e Europës.
Për këtë takim trajneri Sormani me shumë mundësi mund të mos ketë gati sërish dy titullarët, Esat Mala dhe Belica pasi edhe sot të dy futbollistët janë stërvitur të diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit. Një tjetër situatë që shqetëson në kampin e kuq është çështja e kontratave me lojtarët si Bruno Telushi, Esat Mala apo edhe kapiteni Alban Hoxha të cilëve u ka skaduar ditën e djeshme.
“RTSH Sport”, zbulon se këta lojtarë kanë firmosur një kontratë të re për një muaj dhe do të jenë pjesë e skuadrës deri në përfundim të sezonit. Me mbylljen e këtij edicioni klubi do të marrë vendim për të ardhmen e tyre pasi fillimisht duhet të mbyllet njëherë kampionatin e më pas të mendohet për rinovimet.