Jo në pak raste arbitrimi në vendin tonë është bërë shkak që të ndodhin trazira të ndryshme në futboll. Një faull i dhënë, një penallti që s’jepet, apo një pozicion jashtë loje i parregullt, mund të ndikojë në rezultatin e një takimi, sidomos në futbollin tonë, ku edhe rastet për të shënuar golin janë me “pikatore”.
Një vendim për penallti e arbitrit në minutat e fundit në ndeshjen Kazma-Laçi , solli shumë trazira dhe si përfundim Kamza u ndëshkua për të luajtur në Kategorinë e Dytë nga Komisioni i Disiplinës. Mirëpo, kush fshihet pas gjithë këtyre situatave të çuditshme? Panorama Sport ka publikuar një letër të shkruar nga arbitri Kleanto Sheko, i cili ka dhënë një dëshmi tronditëse, duke u shprehur se sistemi në Federatë për kualifikimin e arbitrave nuk funksionin, megjithëse ekziston. Çdo gjë funksionin si tepsi, ku secili vendos për pjesën e vetë.
Letra e plotë e gjyqtarit:
Në fakt, mendova të mos shkruaja, mendova ta lija në heshtje. Por, kur pashë që për të disatën herë na bëtë përsëri “klounë”, vendosa të flas dy fjalë. Megjithëse arbitër deri në nëntor në Kategorinë e Dytë, kuptova shumë qartë se çfarë pluhuri e ka zënë Sektorin e Arbitrimit në federatë. Përjashtoj këtu Tahir Kastratin dhe Petrit Brahjen, sepse nuk kanë funksione vendimmarrëse. Respekt për moshën dhe mendoj se ata ende ruajnë ndonjë vlerë njerëzore. Një pluhur që do pastruar me lavash, jo me pecetë duarsh… Dëgjova dhe ish-arbitrin e FIFA-s, Lorenc Jemini, që thoshte se “ky ishte sezoni më i mirë i arbitrave”. Megjithëse gëzon respektin, i them Jeminit se si mund të ketë qenë i tillë kur janë rrahur arbitra në Superiore, madje “live”?!
E si mund të ketë qenë i tillë kur kanë ndodhur çudira në kategoritë inferiore?! E si mund të ketë qenë i tillë kur kanë hequr me lezet Olsi Sokolin, më të përgatiturin fizikisht?!
E si mund të ketë qenë i tillë kur asnjë arbitri të Shqipërisë nuk i besohet një ndeshje mesatare si (Tirana-Kastrioti)?! E si mund të ketë qenë i tillë, kur që te moshat (të rinjtë dhe paratërinjtë) arbitrat e dinë ndeshjen që të hënën?!
E si mund të jetë i tillë, kur sistemi në federatë për kualifikimin e arbitrave nuk funksionon, megjithëse ekziston…?! Aty ku ndahen si pjesë tepsie: “ky është i imi, ky është i këtij, ky është i yti, ky tjetri ka mik të fortë, për këtë ka dhënë urdhër filani…
Pastaj fillon ndarja tjetër: “ky i pari, ky s’ka njeri, lëre s’ka gjë, ky është budalla se i bie drejt. E si mundet vallë të vazhdojë kështu, kur ju kolegë dhe ish-kolegë e dini mirë që presidentët e marrin nëpër ndeshje dhe ju detyroheni të bëni çudira?!
E si mundet, kur ju kolegë, apo ish-kolegë e pranoni në heshtje këtë që po ndodh me ju dhe futbollin në Shqipëri?!
Megjithëse nuk është vetëm faji i tyre pluhuri në KCA (Komiteti i Caktimit të Arbitrave), por dhe i juaji, sepse për një ndeshje më shumë pranoni dhe detyra që ndonjëherë nuk u jepni dot zgjidhje. Sepse akoma nuk e dini që futbolli është loja më e bukur në botë. Futbolli është respekt, futbolli është “fair play”, futbolli është pasion dhe përkushtim.
Ndaj, edhe ne jemi pjesë e rëndësishme e tij. Nëse nuk e dinit, ndoshta e mësuar tashmë. Nuk shkruaj sepse dua t’ju kritikoj, apo sepse edhe mua më është bërë padrejtësi, apo ndoshta sepse jam mërzituar që nuk më kanë ngritur në Kategorinë e Parë, apo Superiore, por shkrova për arsyet qesharake të pluhurit që ka zënë zyrat e federatës.
Shkrova që presidenti të marr vesh që këta i përdorin emrin e tij dhe e kanë kthyer arbitrimin në zyrë punësimi për miqtë e tyre. Çdo gjë që bëhet në arbitrim, bëhet në emër të tij. Çdo pisllëk që ata bëjnë, ia faturojnë atij. Po shkruaj dhe që presidenti të kuptojë se i kushton më pak FSHF-së dhe futbollit tonë një dizenjator i huaj se pluhuri që është në Federatë. Në fakt, nga pluhur, tashmë është kthyer në gëlqere që do bëjë pis edhe zyrën e tij.