Padyshim që goli është ai që dallon një sulmues nga pjesa tjetër e skuadrës dhe janë pikërisht rrjetat e një sulmuesi që mbajnë ekipin në vendet e para të renditjes. Duket se këtë gjë e kanë kuptuar më së miri edhe treshja Sowe, Guri dhe Reginaldo. Të tre ‘bomberat’ e tre ekipeve të para në renditjen e Superligës kanë udhëhequr deri më tani me gola ekipet e tyre duke shënuar në vazhdimësi.
Duket se tashmë do jetë pikërisht një garë treshe mes këtyre tre futbollistëve për të përcaktuar edhe Këpucën e Artë të Superiores në fund të këtij sezoni. Të tre sulmuesit janë në kuotë të barabartë golash dhe numërojnë nga 12 të tilllë secili. Jo vetëm garë interesante për kupat e Europës apo edhe mbijetesën, por edhe për Këpucën e Artë këtë sezon në Superligë.