Krah trajnerit Skënder Gega, në konferencën për shtyp përpara duelit të së shtunës ndaj Flamurtarit u paraqir mbrojtësi i Partizanit, Lorenc Trashi. Në fjalën e tij, 26 vjeçari përsëriti dhe njëherë dëshirën për të qënë pjesë e kombëtares shqiptare, ndërsa analizoi edhe rivalët, Teutën dhe Kukësin.
Vendi i parë sjell presion në ekip?
Në ekip shumica e lojtarëve janë në moshë të re, normalisht presion do ketë tek këta lojtarë, por trajneri mundohet që ta largojë presionin në çdo ndeshje. Punojmë shumë në aspektin psikologjik. Deri tani ecuria e ekipit ka treguar që nuk kemi patur presion që ta reektojmë në fushë.
Teuta apo Kukësi, cili ekip ka më shumë cilësi?
Unë i vlerësoj të dy ekipet si Kukësin ashtu edhe Teutën, janë ekipe shumë të mira, me staf shumë të mirë dhe normalisht nuk gjenden rastësisht aty ku janë duke na rivalizuar. Për mendimin tim personal, mendoj se Teuta ka një grup më të mirë, pa anashkaluar Kukësin.
Flamurtari dhe më pas derbi.
Ne nuk mendojmë për derbin. Jemi të fokusuar tek ndeshja me Flamurtarin, pasi vijmë nga një humbje. E konsiderojmë ndeshje shumë të vështirë me Flamurtarin. Nuk duhet të mendojmë që janë larguar shumë lojtar nga kjo skuadër dhe do ta kemi të lehtë. Flamurtari pothuajse grupin e ka , do jetë ai Flamurtar agresiv ,ajo skuadër që pamë me Skënderbeun që bëri një lojë shumë të mirë.
Deklarata e presidentit Idrizi?
Janë mendime personale të presidentit Idrizi. Ai normalisht ekipin e tij do ta mbrojë, do shprehet në këtë mënyrë që edhe nga ana psikologjike të punoj për ekipin e tij. Gjithsesi është fusha ajo që do të tregoj rezultatin dhe aftësitë që ka çdo lojtar për të dy ekipet. Kush do bëj më mirë do toj edhe ndeshjen.
Mbrojtësi Bici ka deklaruar se ky është Partizani më i dobët në këto 5 vite.
Ky është viti im i 5-të te Partizani , por nuk dua të merrem aspak me deklaratat e Bicit.Eshtë mendimi dhe gjykimi i tij. Personalisht mendoj që ky Partizan nuk është ai që komentojnë të tjerët, por është një Partizan që kryeson kampionatin dhe të them të drejtën për herë të parë gjendemi me një diferencë kaq të madhe pikësh nga ekipet e tjera. Ne e kemi treguar me rezultate dhe me punë dhe kemi qenë me këmbë në tokë përgjatë gjithë kohës.
E prisni një ftesë nga Kombëtarja?
Kjo pyetje më bëhet shpesh. Çdo lojtar e ka një ëndërr që të jetë pjesë e kombëtares. Unë e kam thënë gjithmonë që punoj dhe vazhdoj të punoj akoma, të bëj më të mirën për ekipin tim, pastaj se çfarë do të vij është zgjedhja e Panuçit, çdo gjë varet nga vendimet e tij, shpresoj.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.