Elvis Plori ka dhënë një intervistë për newsport.al ku ka analizuar situatën në Kategorinë e Parë, konkretisht për Grupin e Veriut. Trajneri shkodran sheh si favorit ekipin e Kamzës për të ardhur në Superiore, ndërsa jep edhe idenë e tij se si duhet të bëhet sezonin e ardhshëm skema e Kategorisë së Parë.
– Duke qenë se keni trajnuar disa ekipe ne grupin e Veriut, si ju duk kampionati i këtij viti?
Mendoj se FSHF u mundua të ndryshonte diçka për mirë, por nuk ka dalë si u mendua dhe kjo formulë për mua është e dështuar sepse skuadrat që dalin nga gara nuk tregojnë realitetin. Ndërsa si kampionat nuk ka pasur shumë ndeshje cilësore për arsyen që tashmë dihet në kampionatin shqiptar. Trajnerat punojnë me frikën e shkarkimit dhe gjithmonë mendojnë më tepër për t’u mbrojtur se për të sulmuar. Gjithashtu cilësia bie kur nuk shpenzojnë më shumë se dy klube ku synojnë Superligën dhe nuk ka aq shumë sportista në treg që të kenë për të rritur cilësinë e 20 ekipeve në Kategorinë e Parë.
– Është përcaktuar vetëm fundi i tabelës, a ishte i drejtë verdikti?
Fundi i tabelës ka treguar që skuadra ku nuk gjeti mbështetje financiare pas mbarimit të dy fazave ra nga Kategoria.
– Ka mbetur takimi final, Kamza – Besëlidhja, cili ekip është favorit?
Për të folur për ndeshjen Kamza – Besëlidhja është e vështirë pasi është veç një ndeshje dhe nga një gabim i vogël mund të ndahet e gjithë puna e një viti. Më afër është Kamza se luan për dy rezultate.
– Cilat janë pikat e dobëta të Kamzës dhe Besëlidhjes nëse i ke ndjekur me vëmendje, po më të fortat?
Pikat e dobta të Kamzës mendoj se janë standartet në lojën difensive, ndërsa pikat e forta janë sulmuesit shumë të shpejtë dhe ku mund të shënojnë të gjithë. Pikat e dobëta të Besëlidhjes mendoj se janë cilësia teknike se ka shumë lojtarë që duan t’i zgjidhin me forcë situatat e lojës dhe u mungon një lider në sulm, ndërsa pikë të fortë kanë standartet. Mendoj se Besëlidhja gaboi që luajti me gjithë forcat në Kupën e Shqipërisë pavarësisht se bëri mirë, por objektivi madhor është Superliga e është dashur që futbollistët të ishin më të freskët.
Pyetja e fundit, a ju pëlqen skema e Kategrisë së Parë këtë sezon, apo duhen bërë ndryshime?
Mendoj që Kategoria e Parë duhet të bëhet me 16 skuadra dhe jo me dy grupe. Shqipëria është e vogël e kush s’ka financa as të udhëtoj, mos të bëjë ekip futbolli fare.
Newsport.al/ Erjon HAMITAJ