Skënderbeu e mbylli vitin kalendarik në mënyrën më të keqe të mundshme duke humbur katër ndeshje rresht. Diçka e tillë nuk ndodhte prej kohësh në Korçë, por trajneri Orges Shehi mendon se këto rezultate negative janë lënë pas dhe skuadra po punon për tu rikthyer te fitoret. Në një intervist për “RTSH” Shehi ka folur për gjendjen e ekipit si edhe kjo skuadër nuk duhet krahasuar me ato të viteve të kaluara.
Minifaza përgatitore në Shqipëri?
“Në këtë minifaze dy janë opsionet, jashtë apo në Shqipëri po menduam të rrimë këtu, kushtet i kemi. Është pak ftohtë, besojmë se do të ndryshojë dhe do të bëjmë miqësore me ekipet që rrinë këtu, ndaj zgjodhëm të qëndrojmë në Shqipëri”.
Rezultatet negative?
“Ka qenë një muaj i keq për ne, sa i përket rezultatit, jo lojës. Ka qenë i mallkuar për ne, kemi luajtur mirë por nuk kemi marrë pikët. Me fillimin e vitit të ri do të përgatitemi për të lënë pas atë që kaloi dhe për t’u përqendruar tek e ardhmja”.
Përforcimet në merkato?
“Në këtë moment ku jemi, duam të përforcohemi, por duke qenë se kjo dritare e hapur nuk të jep shumë mundësi, se nuk të jep opsione, ne kemi piketuar 2-3 lojtarë në pozicionet që kemi nevojë, pos do të shohim në ditët në vazhdim nëse do të vijnë ata lojtarë. Sigurisht që kemi nevojë, dhe besoj se do të përforcohemi aty ku duhet”.
Nervozizmi i tepruar i lojtarëve?
“Në momente të caktuar ka ardhur se duan fitoren dhe të kthehen te rezultatet pozitive. Djemtë stërviten mirë dhe të motivuar gjatë javës. Ndoshta këto rezultate të fundit, duke ditur se po japin në fushë, i bëjnë nervozë, se të gjithë duan rezultatin”.
Krahasimi me sezonet e kaluara?
“Unë jam dakord që Skënderbeu për 8 vite nuk ka qenë në këto pozicione, por jemi të ndërgjegjshëm që ka ndryshime të mëdha këtë vit. Krahasimet nuk mund t’i bësh me vitet e tjera, secili ka specifikën e vet. Ne dhe opinioni jemi të ndërgjegjshëm se Skënderbeu ka pasur shumë ndryshime dhe këto duan pak kohë të përshtaten. Por ishte vetëm kjo pjesa e fundit, se Skënderbeu ishte në vendet e para, e nisi kampionatin ashtu siç askush nuk besonte. Ne besonim, ishim në rrugën e duhur. Ajo që ndodhi, nga ana psikologjike na goditi pak. Por kurrsesi nuk duhet krahasuar me vitet e tjera”.
Çfarë pret nga nga skuadra në vazhdim?
“Unë pres që skuadra të japë atë që ka në fushë, atë që jep çdo ditë në stërvitje, atë seriozitet dhe besoj se fati i keq nuk do të na ndjekë gjithmonë. Shpresojmë që edhe të dëmtuarit të kthehen, dëmtimet e pezullimet ndikuan te rezultatet në fund se asnjëherë nju kemi qenë të plotë, shpresojmë të kthehen dëshira dhe grinta”.