Gerd Haxhiu ka folur pas ndeshjes me Partizanin, ku Korabi u mund me rezultatin 1-0. Trajneri i dibranëve u shpreh i dorëzuar për këtë takim, pasi deklaroi që ishte i limituar në organikë. Tekniku i Korabit u shpreh:
“Sot ishte Korab i cunguar në kontigjent. Mungesa të tilla si këto të skaudrës sonë, të dhembin. Disa lojtarë nuk janë stërvitur 100 përqind dhe u detyruam t’i zëvendësonim. Duke u nisur nga rëndësia e kundërshtarit, ishim përgatitur që të mos lejonim atë të shënonte. Ishte një shpërqëndrim i portierit, por edhe mbrojtja nuk e shoqëroi. Nuk mund të prisnim asgjë më shumë sot, pasi ishim të limituar. Kemi reaguar, asnjë skaudër nuk na ka vënë për fund. Por, reaguam më shumë me zemër se sa me ide të qarta.
Janë disa gjëra paralelisht, dua të marr një garanci sepse kam dëgjuar që do të punohet intensivisht në stadiumin e Peshkopisë. Ka një shpresë që t’i luajëm disa ndeshje të fazës së tretë në fushën tonë. Do të ketë një buxhet për merkaton, por më parë të marojmë dhe këtë ndeshje. Donatorët i kanë paguar lojtarët, nuk ka probleme me pagesat. Unë i bëj hyzmetin Korabit, i bëj hyzmetin bukës së familjes sime”, përfundoi trajneri i Korabit Gerd Haxhiu.