Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, pas fitores 1-0 me Laçin është shprehur se kjo fitore shkon për tifozët e këtij klubi, për të gjithë tifozët vlonjat.
Tekniku është shprehur se kjo ishte ndeshja e fundit në Vlorë për këtë sezon, por ndoshta ka dhënë edhe mesazhin që mund të largohet nga Flamurtari.
“Kishim si qellim që ta mbaronim këtë kampionat, por është ndeshja e fundit që zhvillojmë në Vlorë. Këtë fitore ia dedikoj të gjithë tifozëve të Vlorës, e gjithë kjo fitore shkon për ta. Në pjesën e parë e kontrolluam lojën. Në fillim të pjesës së dytë kishim pak probleme, por ajo që ishte pozitive ishte që lojtarët e rinj bënë shumë mirë dhe mendoj se e kemi merituar fitoren. Lojtarët që u futën nuk e prishën lojën, por do thoja që kanë të ardhme, por do të punojnë shumë, pasi përveç rezultatit, qyteti kërkon edhe lojën e bukur. Kemi qenë të gjithë bashkë për të kaluar problemet që të gjithë i dinë. Po e them që kam kaluar mirë këtu dhe them që nëse gjërat do të rregullohen, atëherë në sezonin e ardhshëm do të jem trajneri i Flamurtarit”, është shprehur Daja.