Në konferencën e zakonshme për shtyp para ndeshjes në zyrat e stadiumit “Selman Stërmasi”, u shfaq trajneri Tiranës, Ze Maria. Trajneri brazilian foli për gjendjen e ekipit, ndeshjen përballë Shkumbinit këtë fundjavë, nivelin e Katagorise së Parë dhe ndeshjen e Kupës përballë Vllaznisë.
“Di të them se ekipi është përgatitur seriozisht për këtë takim. Djemtë i shoh në formë dhe të motivuar për këtë ndeshje. Mendoj se përgatitjet që kanë filluar nga fillimi i javës do japin rezultatet e duhura në këtë ndeshje. Shkumbini me sa di unë është një ekip shumë i fortë, sidomos në fushën e vet dhe ne duhet të tregohemi “të pisët” përballë tyre, ndoshta të përgatitemi për një ndeshje të luftuar fizikisht.”
Në vijim të fjalës së tij Ze Maria tregoi edhe për ndryshimet mes Superligës dhe Kategorisë së Parë: “Kam parë disa ndeshje të Superligës dhe mund të them se diferencat mes dy kategorive qëndrojnë në aspektin teknik të lojës. Mendoj se ka pak diferencë mes dy kategorive. Sa për Kupën e Shqipërisë përballë do kemi Vllazninë dhe me sa di unë është një ndeshje shumë e përjetuar nga të dy ekipet dhe tifozeritë. Por di të them se ne jemi totalisht të përqendruar te Katagoria e Parë dhe për Kupën do flasim kur të vijë momenti i duhur.”