Mark Iuliano ka dalë në një konferencë për mediat dy ditë para ndeshjes kundër Lushnjës. Trajneri italian foli për Alban Hoxhën, grupin dhe talentin Jurgen Bardhi. Gjithashtu u ndal edhe te pozicioni i tij në krye të pankinës së kuqe.
“Lojtari më i rëndësishëm në ekip është Alban Hoxha. Ai ndihmon për gjithçka që ka të bëjë me grupin. Megjithatë unë këtu s’po veçoj asnjë pasi për mua të gjithë lojtarët e mi janë më të rëndësishmit në botë”.
“Largimi? Nëse grupi nuk do të arrijë të më përgjigjet do të largohem. Por, deri më tani kjo nuk po ndodh. I kemi pyetur nëse ka diçka që nuk shkon me ne stafin teknik dhe na kanë thënë që s’ka asgjë, përkundrazi janë treguar të gatshëm për të na mbështetur. Kur fjalët e mia mos të jenë efektive dhe nëse drejtuesit duan largimin tim, atëherë do të ndodhë kjo”.
“Bardhi? Është një talent shumë premtues dhe një lojtar shumë i mirë”.
“Lushnja? Nëse grupi do të arrijë të dalë në lojën e tij gjithçka do të shkojë mjaft mirë”.