Nesër, Flamurtari do të luajë kundër Kukësit në transfertë, ndeshje e vlefshme për javën e 11-të të Superligës. Ditën e djeshme, trajneri Ilir Daja ka mësuar për pezullimin e Idi Bathës nga Komisioni i Disiplinës.
Sot, tekniku kryeqytetas ka dalë në konferencë për shtyp teksa ka folur për kundërshtarin e nesërm, por gjithashtu nuk ka lënë pa përmendur vendimin absurd të Komisionit të Disiplinës.
“Kukësi ka bërë më mirë se ne deri në këto momente, por kemi një bonus ndaj tij. Në ndeshjen direkte të fazës së parë, ne kemi marrë fitore. Do të luajmë në transfertë, por në një fushë asnjanëse, që do të thotë se të tria rezultatet janë brenda ndeshjes së nesërme.
Duhet të tregojmë atë lojë, që zhvilluam në pjesën e parë ndaj Teutës. Ndeshja me tifozë është gjithmonë më e mirë, edhe nëse ata mbështesin vetëm ekipin kundërshtar. Dua të mendoj anën positive: prania e tifozëve është motivuese, qofshin këta edhe me kundërshtarin, në rastin konkret me Kukësin.
Dënimi me pamje filmike i Bathës? Nuk e di çfarë mund të ndodhë deri në momentin e ndeshjes. Ne kemi punuar gjatë gjithë javës me Bathën në formacion, por tani nuk e kemi, meqë e dënoi Disiplina. Do ta ndiejmë shumë mungesën e tij. Më mirë të presim orarin e ndeshjes për të parë se cili do ta zëvendësojë nga ata që kemi në dispozicion.
Disiplina nuk mund të marrë vendim me pamje filmike, sepse aty kanë qenë të gjithë arbitrat. Sepse në këtë mënyrë i bie që edhe neve të na heqin tre kartonë të verdhë, që i kemi marrë pa të drejtë. Nëse përdorim pamjet filmike, Veliut duhet t’i hiqet kartoni, sepse nuk e ka prekur fare kundërshtarin.
Nuk mund të merren vendime të tilla nëpër zyra mbi vendimet e gjyqtarit.
Objektivat tanë? Edhe pse presidenti e thotë gjithmonë që duhet të kënaqim me futboll publikun vlonjat, synimi ynë është të luajmë në “Europa League”. Pra, të renditemi të paktën në vendin e tretë, ose të katërt të Superiores në fund të kampionatit“, ka deklaruar trajneri Ilir Daja.
Kujtojmë që ndeshja Kukësi -Flamurtari do të luhet nesër në orën 14:00, në stadiumin e Kamzës.