U largua pasi kreu më së miri misionin: Solli titullin kampion në kryeqytet pas 26 vitesh. Skënder Gega strategu i Partizanit që habiti dhe mrekulloi çdokënd me punën e tij, teksa një ekip jo pretendent e ngjiti në krye. Sezoni i tropojanit ishte thuajse konstant, por polemikave nuk i shpëtoi as ai. Madje shkak për disa debate në stërvitje u bë Emanuel Mensah. Sulmuesi afrikan nuk preferohej si titullar nga Gega dhe kësisoj pati një përplasje mes tij e menaxherit të futbollistit. 55-vjeçari vijoi punën e tij i pa lëkundur duke përfshirë në 11-she atë që ai mendonte si të duhurit.
Edhe pse pati shumë skeptikë me këtë zgjedhje të Gegës, duket se ka pasur të drejtë. Në fakt këtë e vërteton homologu i tij, Franko Lerda. Italiani pasoi tropojanin në krye të pankinës dhe po të njëjtën zgjedhje ka bërë edhe tekniku i ri me Mensah. Herën e parë të Europa League e futi si titullar, ndërsa e ndërroi në minutën e 60-të ashtu siç bënte të shumtën e herëve edhe Gega. Ndërsa në ndeshjen e dytë kundër Qarabag Lerda preferoi ta mbante në stol duke spostuar në krahun e tij Çinarin dhe në majë të sulmit Solomon. Siç shihet trajneri Gega dhe Lerda bashkohen në një pikë… Pikërisht te Emanuel Mensah!