Armando Cungu, trajneri shkodran i U19 të Shqipërisë ka skanuar Vllazninë në Pressing. Cungu ka folur për shumëçka, nga afrimet e deri te mini-kriza që shkodranët po kalojnë këto javë.
“Kush e rrezikon Vllazninë? E kam theksuar se skuadra që mund të rrezikojë Vllazninë është Laçi, tani po fus edhe Partizanin. Skuadra e Partizanit ka forcuar grupin por Laçin e njoh prej dy sezonesh dhe e di përbërjen. E di se kurbinasit do jenë pengesë e madhe për këdo. Nëse kemi parë një Vllazni të shkëputur tani kampionati do jetë më i vështirë për ta dhe më i bukur për t’u parë.
Dora e Brdaric? Nuk vihet në dyshim se Brdaric ka dorë. Ekipi ka entusiazëm në lojë dhe kjo është meritë e trajnerit.
Vllaznia ka shfrytëzuar efektin kohë më shumë se çdo skuadër tjetër. Skuadrat e Ligës së Europës ishin të lodhura dhe bojkoti bëri dëm për ekipet kryesore të sezonit. Vllaznia pati kohën e duhur për t’u stërvitur dhe lanë pas Covid-19.
Ishte më e freskët dhe harmonizuar se ekipet e tjera. Ajo çka ka ndryshuar te Vllaznia dhe blerja më e mirë ka qenë ardhja e sponsorit Xhaferi si Zot mbi krye dhe nuk po ndodhin më ato fenomenet që vitet e fundit kanë ndodhur në Shkodër.
Kur vijnë trajnerët e huaj i shohin si me brirë, dëgjojnë se çfarë thotë ky, qofshin edhe kërkesa utopike dhe presidentët ia plotësojnë. Ky është një inferioritet që duhet ta lëmë pas sepse edhe trajnerët shqiptar dinë të vendosin disiplinë.
Merkato? Deri në momentin që u shtrydhën lojtarët ishte mirë, tanimë që po përpiqet të vendosen lojtarët e tjerë në lojë ka pasoja. Lënë për të dëshiruar shumë lojtarë, edhe Avdijaj që erdhi nga Tirana nuk po tregon kurrgjë dhe s’po tregon asgjë. Si edhe lojtarët e tjerë që s’janë ingranuar dhe nuk po tregojnë asgjë.
Nuk do jetë e lehtë nëse nuk ke alternativa në momentet e duhura. Uroj me zemër që ta fitojë Vllaznia titullin por fati dhe puna tregojnë se Vllaznia arriti në këto kuota dhe nëse futet në 4 ekipet e para do jetë sukses, Vllaznia është në mini- krizë”, tha Cungu mes të tjerash.