Bledi Shkëmbi do të drejtojë skuadrën e Teutës për sezonin e ri futbollistik. Ish-tekniku i Lirisë zgjodhi të niste një aventurë të re në Durrës pas një pune fantastike në Prizren. Tashmë korçari po pret të plotësojë stafin teknik. Ditë më parë u përfol se Erbim Fagu do të ishte ndihmësi i tij. Ndërsa sot në skenë një emër tjetër i njohur.
Bëhet fjalë për Endri Vrapin, qendërmbrojtësin që ka luajtur për shumë vite në Superiore me skuadra elitare si Partizani, Tirana, Vllaznia etj. 35-vjeçari ishte pjesë e Lirisë edicionin e shkuar dhe me sa duket tashmë ka zgjedhur të heqë dorë nga futbolli i luajtur për të vijuar me botën e trajningut. Pritet me interes të mësohet se kush do të jetë përfundimisht ndihmësi i korçarit, teksa tashmë kandidat potencial është Endri Vrapi.