Tirana e këtij sezoni është projektuar për kampion dhe këtë objektiv drejtuesit bardheblu e kanë shprehur qysh në fillim të kampionatit. 24 herë kampionët e vendit vuajnë një dekadë “shterpësie”, teksa titulli i fundit është ai i sezonit 2008-2009. Që prej asaj kohe ekipi i drejtuar nga Refik Halili ka kaluar një situatë ulje-ngritjesh, duke e parë veten edhe në kategorinë e parë. Bardheblutë janë një nga ekipet që shpenzojnë më shumë për rrogat dhe bonuset e lojtarëve, teksa kjo shumë mësohet se kap shifrën e mbi 70 mijë eurove në muaj.
Presidenti Halili është treguar dorë lëshuar këtë sezon, duke kërkuar me çdo kusht titullin në përvjetorin jubile të klubit. Lojtari më i paguar te Tirana mbetet Majkëll Ngoo, me anglezin që fut në xhep plot 8 mijë euro në muaj. Kjo nisur edhe nga bonuset e pjesëmarrjeve në fushë apo golave të shënuar. Lojtarë të tjerë si Kale, Torrasa, Hoxhallari, Karabeci, Osmani apo Batha marrin mesatarisht 3-5 mijë euro në muaj. Pjesa e lojtarëve të rinj ose ata të stolit paguhen 1-3 mijë euro në muaj.
Trajnerët, stafi dhe administrata paguhen në total rreth 10 mijë euro. Kontratat e Tiranës parashikojnë dhe penalizime ose bonuse, që variojnë nga objektivat sezonalë. Me klubin që vlerësohet 4.5 milion euro, lojtarët më të shtrenjtë sipas “transfermarkt” janë Elton Kale me 450 mijë euro si vlerë kartoni dhe Torrasa e Batha me 350 mijë euro. Lojtarët penalizohen me dy rroga, nëse nuk arrijnë kupat e europës. Klubi i Tiranës duket se nuk kursehet në paga, duke e kaluar topin te stafi teknik dhe lojtarët.