Me gjithë dëshirën për të luajtur në fushën e vet, ekipi i KF Tirana udhëton sot drejt Shëngjinit ku edhe do të akomodohet për ndeshjen nesër me ekipin e Vllaznisë së Shkodrës.
Newsport.al, bëri një vëzhgim të vogël këtë mëngjes në ambientet e “Selman Stërmasit” për të parë nga afër se çfarë ka ndodhur me fushën ku duhet të luajnë bardheblutë. Për shkak të shumë ndeshjeve të zhvilluara në “Selman Stërmasi” ishte dëmtuar bari, çka i ka detyruar specialistët të hedhin farën e re dhe të nivelojnë fushën.
Ekspertët e fushave të futbollit thonë për newsport.al se nga momenti i hedhjes së farës së barit dhe nivelimit me rërë, duhen të paktën 10 ditë që bari i ri të rritet pa u dëmtuar për të pasur korrjen e parë. Në kohën kur Tirana duhet të luante kalonin vetëm 7 ditë dhe dëmtimi i fushës do ta bënte të pamundur rikuperimin e saj për ndeshjet e tjera që duhet të luhen nga bardheblutë në shtëpinë e tyre, të paktën deri në prill kur mund të ndodhë edhe mbjellja e re e fushës.
Kjo i ka shtyrë drejtuesit e stadiumit në bashkëpunim me ekspertë agrobujqësore që të marrin vendimin për të transferuar këtë ndeshje në një stadium tjetër, e pikërisht në atë të Laçit, fusha e të cilit është e rikonstruktuar dhe ndoshta ndër më të mirat fusha futbolli në Shqipëri. Tirana vjen nga humbja me Luftëtarin, ku duhet thënë se një ndër faktorët që shkaktuan dështimin e bardhebluve, ishte edhe fusha jashtë standarteve e Peqinit.