Sapo mbërriti te Tirana, tekniku i ri i bardhebluve Ardian Mema ka nisur menjëherë të sjellë ndryshimet e para në formacionin e 24-herë kampionëve të Shqipërisë. Edhe pse është ende herët për të parë frytet e punës së tij te Tirana, testi i djeshëm miqësor ndaj bardhebluvë të vegjël paraqiti përpjekjet e para për transformim të formacionit të bardhebluve.
Mema ka lëvizur pozicionin e Erjon Hoxhallarit nga krahu i majtë në qendër të mbrojtjes, ndërsa ka spostuar në krahun e majtë Eni Imamin. Në krahun e majtë u pa të operonte Bedri Greca, kurse në qendër të mesfushës u vendosën Asion Daja, Erando Karabeci dhe Edon Hasani.
Pavarësisht dëmtimit të papritur, Mema pritet t’i besojë detyrën e gjetjes së golit Dejan Blazevskit.
Gjithësesi, ndeshja e djeshme ishte një eksperiment dhe duket se tekniku i ri i bardhebluve ka ende shumë gjëra në kokë për të ndryshuar te Tirana.
Testi i djeshëm dha sinjale të qarta për lojtarët, të cilët duhet ta marrin seriozisht përkushtimin në çdo seancë stërvitore dhe çdo ndeshje, pasi të gjithë mund të fitojnë vendin e titullarit.
Memën e pret sfida me Flamurtarin, ekip që para pak ditësh ai ishte i impenjuar, por situata e krijuat te ekipi i zemrës e detyroi të merrte në dorën fatin e bardhebluve.