Tirana ka përfunduar sot përgatitjet në Antalia. Përmes një lajmërimi në faqen zyrtare të klubit në Facebook, mësohet se bardheblutë zhvilluan sot paradite një seancë të fundit stërvitore në Turqi.
Pas drekës, ekipi kryeqytetas do të udhëtojë drejt Shqipërisë për të vijuar në “Skënder Halili” përgatitjet deri në ndeshjen e parë të fazës së tretë të Superligës.
Ditën e shtunë, Tirana do të luajë një ndeshje miqësore kundër Luftëtarit, përballje që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 14:00.
Gjithashtu, klubi bardheblu bën me dije zyrtarisht se sulmuesi moldav Petru Leuca ka mbyllur pa sukses provën disa ditore për t’u larguar nga hoteli sot në mëngjes.