Sulejman Starova është një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar. Kontributi i tij ka qenë i madh si në fushën e blertë, ashtu edhe në pankinë. Ka luajtur dhe ka shkëlqyer me Tiranën dhe Partizanin, ndërsa ka drejtuar disa skuadra në Shqipëri si Partizani, Tirana, Besa, Teuta dhe Kukësi. Mban 64-vite mbi supe, por pasioni për futbollin ia zbeh ato. Kontribut i padiskutueshëm në futbollin tonë dhe kujtimet që ruan janë të shumta.
Newsport.al ka siguruar një foto ku shihet pasuria e trajnerit të njohur. Njësoj si një muzeum, Starova ka koleksionuar shumë medalje, ndërsa në sy bien disa fotografi. Tirana kampione në sezonin 2004-2005, pikërisht periudhë që bardheblutë u drejtuan nga ish-mbrojtësi. Pak më tej ndodhet një foto e tij duke festuar si asnjëherë tjetër në derbin e para tre sezoneve, kur Xhevahir Sukaj shënonte në fundin e ndeshjes kundër Tiranës duke mbajtur Partizanin në rrugën drejt titullin. Ndërkohë më lart, duket se Starova ruan me fanatizëm një fotografi me të madhin, yllin e futbollit botëror, Pele.