Partizani dhe Tirana do përballen të enjte në 19:00 në “Air Albania”. Për javën e 33-të skuadrat do ndeshen në derbin numër katër të sezonit, me Demat që kanë fituar dy herë dhe kanë barazuar një sfidë.
Në lidhje me këtë duel ka folur edhe Rezart Dabulla,ish-mbrojtësi luftarak i Tiranës. Për Dabullën ka ardhur koha që Tirana të fitojë, duke bërë autokritikë për humbjet me skuadrat e ashtëquajtura të “vogla”. Seferi cilësohet si blerje e goditur nga ish-mbrojtësi për “Sport Magazine”.
“Derbi është përcaktues për të dyja ekipet. Kampionati është duke ardhur drejt fundit, janë edhe 4 ndeshje. Të dyja kanë objektiva. Tirana ka objektiv të paktën të dali në Kupat e Europës, Partizani do të dali kampion.
Kush humbet në këtë ndeshje do e humbasi objektivin e vetë. Unë si ish-lojtari i Tiranës dhe dashamirës i kësaj skuadre shpresoj të dali triumfuese. Tre derbit e kaluar nuk ka arritur të fitojë. I ka ardhur koha të fitojë dhe për të përmbushur objektivat e vetë dhe për t’i dhënë kënaqësi tifozëve. Pastaj kthehemi prapë te historia që kishte 5 vite pa fituar derbin. Të paktën këtë vit duhet ta fitojmë një.
Për mua është blerje e goditur ardhja e Seferit. Mbase do na shërbente më shumë dhe do ishte më mirë si për ekipin si për atë që të shënonte disa gola më shumë. Të paktën si sulmues është i goditur në merkaton e janarit. Të shpresojmë që të shpërthejë duke shënuar gola në derbi, por këtë do e tregojë vetëm fusha e lojës.
Po të mos kishte bërë disa gabime do ishte Tirana sot në vend të parë. Mendoj që barazimi me Kukësin, barazimi me Skënderbeun dhe barazimi me Ballshin e ka penalizuar Tiranën. Flas vetëm për ndeshjet e fundit. Po t’i kishte këto 6 pikë, do ishte Tirana në vend të parë. Ka mundësi të ngrihet dhe të arrijë objektivin minimal që është Kupat e Europës”, tha Dabulla.