Talenti 20 vjeçar I Laçit, Adolf Selmani ka komentuar kampionatin dhe ndeshjet e ardhshme, duke cilësuar se kurbinasit do të luftojnë në çdo ndeshje për fitore. I afruar përpara dy sezonesh, Selmani ka pasur një eksperiencë edhe me Kastriotin në Superligë, ndërsa ndeshjen ndaj Vllaznisë mori minutat e veta në qendër të mbrojtjes. Për Pressing ai theksoi se Tirana ka ekipin më të mirë.
“Jemi një grup i mirë, luajmë për fitore çdo ndeshje. Ia dolëm me Vllazninë. U përgatitëm të fitonim edhe me Teutën. Na shënuan me një penallti në fillim. Bëmë maksimumin të barazojmë dhe të kalonim në avantazh. Me Vllazninë ishte një ndeshje e luftuar. Na duhej vetëm fitorja dhe e arritëm”.
Me punë arrihet gjithçka, falënderoj stafin për besimin. Veçanërisht falënderoj presidentin Laska, që do ia shpërblej me punë për të arritur objektivat. Tirana ka ekip shumë të mirë. Do përballemi me ta sërish, deri tani Tirana është ekipi më i mirë.
Kishim katër mungesa, por lojtarët që do luanin do jepnin më të mirën. Donim të fitonim thellë, por pësuam dhe më pas reaguam. U ndje edhe pak lodhja te disa lojtarë. Me kalimin e javëve dhe me lojtarët që kthehen, do të jemi edhe më mirë”, u shpreh Selmani.