Laçi zyrtarisht humbi sot shansin për të marrë pjesë Europa League për sezonin e ri. Tekniku i kurbinasve Sulejman Starova, pas mposhtjes nga Tirana 1-3 në fushën e tyre, deklaroi se ekipi bëri gabime fillestare në pjesën e parë që nuk i kishte parë më para.
Për “Supersport”, Starova vlerësoi maksimalisht Gentian Selmanin. Për festën e Partizanit për titullin, ai u përgjigj se sot është dita të mendojë për humbjen e rëndë me Tiranën.
“Fakti që pësuam 3 gola erdhi sepse donim fitoren me çdo kusht. Patëm dy raste në pjesën e parë. Tensioni të shtyn të gabosh. Selmani me formën e mrekullueshme me pritjen e penalltisë na dha shpresë. Nga tensioni i fitores me çdo kush humbëm. Bëmë gabime që si kam parë ndonjëherë më para.
Pjesën e dytë shënuam, por nuk e vazhduam dot presionin. Tirana më pas e menaxhoi mirën lojën.
Siç e thatë dhe ju. Maneja u përpoq, ekipi u mbrojt mirë dhe ishim agresivë. Gabimet ishin fillestare. Por dhe fati nuk qe me ne. Kishim mundësi të barazonim. Selmani ishte fantastik. Duhet të jesh i saktë kur del përpara.
Ndoshta në ditët në vijim, sot jam i mërzitur me ndeshjen e humbur.
Praktikisht, sot është java e parafundit. Konkurenca ka qenë shumë e fortë. U rrit Skënderbeu, u rrit dhe Teuta në javët e fundit. Nga 6 vetë të janarit nuk kapën dot formacionin titullar. Kemi qenë të pafat disa herë”, përfundoi Starova.