Bardheblutë janë përfshirë në merkato ku si fillim kanë bërë një numër të madh largimesh, por nuk mbeten pas as me afrimet. Përpos atyre që kanë firmosur në Tiranë, ka edhe të tjerë që po provohen, apo kanë gjetur akordin në Zlatibor. Megjithatë, mendja e trajnerit Ilir Daja duket se është në tregun shqiptar, për vet faktin se numri i të huajve është i kufizuar.
Sipas “Panorama Sport”, bëhet me dije se te 24-herë kampionët kërkohen shërbimet e qendërmbrojtësit të Kukësit, Ylli Shameti. Gjirokastriti edhe një vit më parë ka qenë në radarët e Tiranës, por rinovimi me verilindorët bëri që ai të mos firmoste.
Shameti ka bërë një sezon të kënaqshëm te Kukësi, por atij i përfundon kontrata më 1 gusht, ashtu si pesë bashkëlojtarëve të tij në atë skuadër. Ende nuk dihet nëse ai do të rinovojë, por tashmë ka dalë në skenë dhe skuadra e parë që dëshiron shërbimet e 32-vjeçarit që ka luajtur në Superiore me fanellën e Shkumbinit, Kastriotit, Luftëtarit dhe Tomorit.