Ekipi i Skënderbeut ia doli të rikthehej te fitorja pas disa javësh. Djemtë e Ilir Dajës bënë “surprizën” teksa mposhtën për herë të parë në Ballsh, Bylisin. Golat e Krasniqit, Bregut dhe Gripshit zhvlerësuan lojën e mirë dhe dy rrjetat e vendasve. Kjo fitore nuk ka sheshuar ujërat në kampin e “Ujqërve”, teksa tifozët kanë dalë kundër Dejvi Bregut. Në rrjetet sociale ata e kanë quajtur të padobishëm dhe mercenar vlonjatin, që pret me zorr sipas tyre largimin në janar.
“Dejvi Bregu s’ka çfarë të thotë më, nuk ka qënë dhe nuk i përket Skënderbeut.Nëse ka futbollist në Korçë që i gëzohet më shumë festës së Krishtlindjes, ky është Dejvi Bregu. Ai e ka deklaruar se nuk i ngjiti Korça, dhe për arsyet e tij po sforcaret në stadiumin ‘Skënderbeu’ si me shpirt ndër dhëmbë deri nga merkatoja futbollistike e dimrit kur do të ikë pa lënë gjurmë.
‘Do të iki’, pretendon Dejvi Bregu dhe ka të drejtën e tij. Nga janari e tutje, nuk do të thotë se nuk ka rreze dielli për klubin ‘Skënderbeu’ pa këtë mercenar të pa dobishëm në klubin korçar të futbollit”, shkruajnë faqet futbolldashëse korçare.