Ekipi i basketbollit për meshkuj të Teutës së Durrësit është në krizë për lojtarin CJ Wilson, i cili, siç duket, pa lejen e klubit durrsak, është nisur dje drejt Mitrovicës për të tentuar që të luajë këtë sezon me Trepçën, raporton newsport.al.
Por, një gjë e tillë duket se nuk është e lejuar nga ekipi durrsak, i cili është detyruar ditën e djeshme të bëjë një sqarim publik për fansat, duke deklaruar se CJ Wilson ka kontratë me Durrësin deri në fund të këtij sezoni. “Lojtari CJ Wilson, pjesë e rëndësishme e ekipit tonë, ka një kontratë të vlefshme me ekipin Teuta Basket deri në fundin e sezonit 2018/2019.
Pavarësisht dëshirave/ofertave të klubeve të tjera kundrejt lojtarit në fjalë, nga ana jonë nuk janë kryer veprime për lëvizjen e lojtarit. I kërkojmë ekipeve të tjera të mos bëjnë diversion, duke cënuar sezonin dhe interesat e klubit tonë. Në të kundërt do të përgjigjen për veprimet e tyre”, shkruhet në faqen e klubit, raporton newsport.al.
Lojtari CJ Wilson nuk e ka vrarë mendjen për këto deklarata, por është larguar nga Shqipëria drejt Mitrovicës. Kjo provohet nga një foto e djeshme në Mitrovicë, ku ai ka pozuar me një nga fansat e Trepçës. Madje këta shkruajnë zyrtarisht në rrjetet sociale edhe afrimin e tij. Ja edhe zyrtarisht ka arritur në Mitrovicë CJ Wilson pas shumë spekulime faqev jo zyrtare të klubit SK Teuta ku edhe ky lajm ka bërë buj madhe nëpër media të Shqipërisë” shkruhet në faqe, raporton newsport.al.
Ndërkohë klubi Teuta Basket sqaron se nuk ka dhënë leje dhe lojtari është ende në kontratë. Çështja mund të përfundojë në FIBA dhe priten edhe veprime të mëtejshme nga ana e Teutës. CJ Wilson nga Oregoni i SHBA, është duke luajtur në kampionatin shqiptar të Basketbollit për meshkuj. Por sic duket, lojtari është joshur nga ofertat e reja për t’u larguar nga Shqipëria, raporton newsport.al.