Teuta do të luajë ditën e nesërme në orën 13:00 sfidën e radhës në kampionat ndaj Bylisit. Faza e dytë nis në transfertën e Ballshit dhe durrsakët pas humbjes në Laç kërkojnë të reagojnë. Ditën e sotme në konferencën për shtyp ka folur trajneri Bledi Shkëmbi.
Gjendja e grupit? “Fizikisht është mirë grupi, jemi munduar të punojmë në aspektin psikologjik dhe të jemi të qetë për ndeshjen me Bylisin. Teuta duhet të bëjë ndryshe nga se bëri me Laçin. Duhet të bëjë ato që ka bërë ato që po bënte deri para ndeshjes së fundit në kampionat. Nuk ka asgjë që më shqetëson. Jam i bindur që skuadra do të reagojë”.
Bylis? “Na vjen mirë që jemi të vetmit që e kemi mundur Bylisin. Natyrisht ka shumë shanse të ndodhë sërish. Në këtë kampionat mund të fitohet ndaj kujtdo. Receta për të fituar? Jam dakord që kemi pasur probleme në sulm, por nuk e kemi vetëm ne. Kudo në botë është e vështirë në sulm. Shpresoj të ndryshojë pikërisht pjesa sulmuese. Nuk do të thotë gjë me sa sulmues luhet, por ka të bëjë me qetësinë. Normalisht duhet të mbështesë i gjithë ekipi”.
Nikac dhe Khalid? “Për sulmuesit nuk është kaq e lehtë të thuash se çfarë nuk shkon. Kam pasur dhe vazhdoj të kem besim. Po punojmë që ata të jenë në formën maksimale dhe të shënojnë gola për të ndihmuar ekipin. Nëse nuk shënojmë, atëherë bëhet e vështirë. Vendosim nesër nëse do luajmë me dy sulmues apo jo”.
Humbja ndaj Laçit? “Jam dakord që nuk ishte Teuta që keni parë dhe jeni mësuar. E kam thënë edhe pas ndeshjes, përgjegjësitë i kam unë. Nuk arrita ta përgatis ekipin në aspektin psikologjik për ndeshjen me Laçin. Shpresoj që të kemi bërë të kundërtën tani dhe lojtarët të kenë të kuptuar se duhet ta ndryshojnë patjetër mënyrën e lojës”.
Të pakënaqurit? “Në ekipin tim, edhe vjet, edhe sivjet, nuk ka ngelur futbollist pa luajtur. Në Laç unë futa edhe Kapllanin. Kur ndonjë nuk jep atë që dua pas disa ndeshjes, nuk luajnë. Unë kam besim tek ata, por në këto momente ka lojtarë më në formë dhe më të përgatitur për të përballuar ndeshjet”.
Bicaj dhe Hidi? “I falënderoj ata që i kemi pasur vjet, pasi na ndihmuan të realizojmë objektivat. Bëmë një sezon të mirë, pavarësisht disa momenteve jo të mira. Nuk kam ndonjë ndjesi të veçantë, pasi e gjithë jeta na ka shkuar duke luajtur ndaj shokëve, ndaj ‘ish’-ëve. Edhe tani si trajner nuk ndjej ndonjë gjë të veçantë. Normalisht ne duam të fitojmë, sikurse duan edhe ata. Kjo është shumë normale”.