Kategoria Superiore është ndalur prej më shumë se një muajsh për shkak të pandemisë së covid-19 që ka prekur vendin tonë dhe gjithë botën. Deri më tani nuk ka ende dritë jeshile nga Qeveria që klubet të nisin stërvitjet edhe pse FSHF-ja i ka nisur një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetetësisë.
Në një prononcim për “Syri TV”, ka folur dhe trajneri Orges Shehi duke prekur disa tema të ndryshme. Në fjalën e tij numri një i pankinës kukësiane u shpreh se futbolli duhet të rifillojë që titulli të vendoset në fushë dhe jo në tavolinë. Gjithashtu Shehi u shpreh se te Kukësi nuk ka probleme pagash edhe pse presidenti Gjici tha që do të ketë ulje për shkak të gjendjes.
Gjendja e lojtarëve, stërvitja?
“Kjo situatë na vendosi në vështirësi për shkak se lojtarët janë nëpër shtëpia dhe stërviten në kushte jo të favorshme. Dalin vrapojnë pak kur munden, por kjo situatë na vështirëson shumë”.
Ndryshimi i jetës?
“Ndikon te njerëzit normal dhe më shumë te futbollistët që kanë një regjim fiks. Futbollistët duhet të shkarkojnë energji çdo ditë dhe më pyesin kur do nisim normalitetin. Shpresojmë që nga momenti në moment të rikthehemi në fushë”.
Forma jo e mirë e Kukësit, jeni pro rifillimit të kampionatit?
“Në momentin që kampionati u ndërpre ne kishim rezultate jo të mira. Mendonim se do të zgjaste pak ditë por kjo situatë zgjati shumë dhe duhet nisur gjithçka nga e para. Jemi të vetëdijshëm për objektivat tona dhe dua të rikthehemi në fushë për të luajtur. Futbolli duhet të rikthehet”.
Marrëdhënia me Gjicin?
“Objektivat tona janë që duhet të ngjitemi në maksimum në renditje. Marrëdhënia me presidentin është shumë korrekte dhe pozitive. Vetëm pak minuta më parë kemi komunikuar për të ardhmen. Në momentin e parë që qeveria do japë dritën jeshile për nisjen e aktivitetit do të nisë edhe puna në klub”.
Paga?
“Me dijen time asnjë futbollist nuk ka probleme me pagesat. Kjo situatë vuri në vështirësi gjithë botën, janë mbyllur gjithçka por besoj është çështje kohe dhe lojtarët do të grumbullohen për të nisur normalitetin”.