Kukësi do të luajë ditën e nesërme sfidën e radhës në kampionat ndaj Bylisit. Verilindorët janë 9 pikë larg nga Tirana e vendit të parë dhe pas humbjes në Laç kërkojnë rikthimin te fitorja. Në prag të këtij takimi trajneri Orges Shehi është shprehur se e gjithë vëmendja është përqendruar te ky takim e më pas të ndeshja e Kupës ndaj Teutës. Gjithashtu numri një I pankinës verilindore foli edhe për garën për titull me Kukësin që do të tentojë deri në fund.
“Në këtë fazë të kampionatit, të gjitha ndeshjet janë të vështirë. Për vetë renditjen ku jemi nuk duhet të bëjmë më asnjë hap fals. Kjo sepse nuk ka kohë më për të rikuperuar. Është një ndeshje e rëndësishme, përballë një kundërshtari që javët e fundit po e gjen ritmin. E kemi përgatitur në atë mënyrë që të japim maksimumin. Edhe detyrat taktike janë të qarta”.
Gjysmëfinalen e Kupës? “Sigurisht në gjysmëfinale të gjithë kundërshtarët janë të fortë. Shorti na ka vënë përballë Teutës, një kundërshtar i fortë. Mendoj se më parë duhet të shohim ndeshjet e kampionatit, pastaj të mendojmë për kupën”.
Gara për titull me Tiranën? “Duhet të japim maksimumin tonë dhe deri tani kemi bërë mirë, përveç ndeshjes në Laç. Nuk duhet ta mendojmë më atë ndeshje, por duhet të nxjerrim mësime. Duhet të vazhdojmë të fitojmë ndeshjet tona, për të qenë pranë objektivave. Në fund do të shohim se çfarë do të ndodhë”.