Partizani është gati për të nisur përsëri sezonin. Me anë të një postimi në faqen zyrtare, 15 herë kampionët e vendit ditën e sotme kanë kryer seancën stërvitore nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega, për t’u përgatitur sa më mirë për Kupën e Shqipërisë.
Tashmë radha i takon tifozëve, për ta mbështetur skuadrën nga shkallët e stadiumit, duke i dhënë më shumë motiv, pasi për të triumfuar, padyshim që duhet edhe përkrahja nga tifozët.
Përsa i përket kampionatit, skuadra e drejtuar nga trajneri Skënder Gega ndodhet në vendin e parë me 37 pikë, 3 më shumë se Kukësi i vendit të dytë.
“Skuadra ka zbritur sot në fushë për të vijuar përgatitjet në prag të ballafaqimit ndaj Kastriotit i vlefshëm për turin e dytë të kupës së Shqipërisë. Në drejtimin e trajnerit Skënder Gega dhe stafit teknik, lojtarët kanë zhvilluar seancën e sotme në orën 15:00 në ambjentet e kompleksit sportiv ” Football Republic “.
Gjendja fizike e skuadrës paraqitet mjaft e mirë dhe të gjithë lojtarët kanë zhvilluar normalisht programin stërvitor. I diferencuar nga grupi ka vijuar përgatitjet vetëm mesfushori Dilaver Duka. Të hënën ekipi do të zhvilloj seancën e radhës si zakonisht në orën 15:00”.