Bernard Challandes do të vijojë të jetë trajner i Kosovës edhe në të ardhmen. Ky është vendimi i marrë sot nga Federata e Futbollit të Kosovës. Kreu i FFK-së, Agim Ademi dhe trajneri i dardanëve kanë pasur një takim mes tyre ku kanë zgjedhur të zgjasin bashkëpunimin.
Edhe pse skuadra e Kosovës ende nuk është në nivelin që të gjithë presin, lojërat e mira dhe projekti i trajnerit kanë bindur drejtuesit e Federatës për t’i besuar edhe në të ardhmen. Siç bëjnë me dije mediet kosovare, Challandes do të jetë në krye të pankinës dardane, deri në përfundimin e kualifikueseve të Botërorit “Qatar 2022”.