Ardjan Takaj ka filluar një sulm frontal kundrejt të gjithë atyre njerëzve që mendon se janë përfshirë direkt apo indirekt në dënimin e Skëndërbeut nga UEFA dhe më pas në vendimin e CAS-it që konfirmoi përjashtimin nga kupat europiane për korçarët me një afat 10-vjeçar dhe 1 milionë euro gjobë. Radha i ka ardhur Eduard Prodanit, ish-sekretar i përgjithshëm i federatës shqiptare te futbollit dhe ish-zyrtar i lartë i klubit Partizani.
Më herët Prodani kishte deklaruar se nëse do të përballej me ndonjë akuzë nga presidenti i klubit juglindor do ta çonte këtë çështje në gjykatë. Kjo gjë nuk e ka trembur Takajn i cili për emisionin “Pressing” në “ABC News” ka thënë se është në dijeni të lidhjeve që ish- zyrtari i lartë i FSHF ka me Eduart Dervishin dhe se e di se sa ka ndikuar ai në dënimin që i është dhënë 8 herë kampionëvë të Shqipërisë. Pas këtyre fjalëvë pritet dhe reagimi i Eduard Prodanit. Çështja Skëndërbeu ka shkundur jo pak mjedisin sportiv në Shqipëri ku çdo ditë zbulohen emra të rinj që kanë të bëjnë me skualifikimin e skuadrës juglindore nga kompeticionet europiane, të paktën sipas tyre .
“Qëllimi i konferencës nuk kishte për qëllim akuzat e Skënderbeut ndaj UEFA-s, e kemi thënë qartë dhe saktë. Po të marrësh kronologjinë, kemi thënë që njeriu kryesor që është marrë me dosjen është Miguel Leitard, i cili është punonjës i studios së Vilar në Spanjë. Emilio Garcia, ish-shefi i Disiplinës në UEFA është një njeri që ka punuar për 15 vjet në një zyrë me Dervishin dhe këta të dy janë marrë posaçërisht me dosjen e Skënderbeut. Kjo sepse në Prokurorinë e Gjenevës inspektori tjetër Karl Dhont ka thënë unë nuk kam shkruar asnjë rresht në dosje, në prani të prokurorit, është e dokumentuar.
Në Displinë kishim relator spanjoll, në Apel relator spanjoll, shkojmë në CAS e përsëri spanjoll, e kundërshtojmë enkas, sepse ishin konflikt. CAS e mori parasysh dhe e hoqën duke e mbajtur anëtar. Të gjitha na dalin, ky është sinjali që më ka dhënë në zyrën e tij Emilio Garcia. Kur më ka komunikuar vendimin më ma thënë “ke të fala nga z. Dervishi”, kur më komunikoi dënimin për 10 vite dhe 1 milion euro. Kjo na shton dyshimet për këtë çështje.
Nuk shkoj unë në UEFA për të negociuar por ishte komunikim i drejtpërdrejt nga shefi i Disiplinës që po merrej masë për 10 vite. Ne çuam avokatin që të merrte vesh çfarë ndodhte, në këtë moment ku nuk kishte asgjë, shkon kërcënimi. Nga ai doli edhe presidenti i UEFA-s dhe aludohej që klubi kërcënon inspektorët e UEFA-s. Kjo ishte goditja për t’i dhënë ngjyra të tjera procesit. Edhe në CAS është përdorur shumë nga UEFA kërcënimi që është bërë ndaj inspektorëve. Erdhi e-maili me kërcënim nga Ilirjan Përmeti, e denoncuam në Prokurori në Korçë, u ndoq dhe u gjet që është nisur në Tiranë. Nga informacionet tona morëm vesh vetëm që është nisur nga një zyrë në Tiranë. Këto janë përdorur si prova. Të gjithë e dinë kush është Skënderbeu, i njihni të gjithë, jeni në dijeni që klubi nuk ka kërcënuar askënd. Edhe Prodani, i cili ka folur pafundësisht, ka ofenduar shumë, është marrë me gjëra personale, por absolutisht nuk e ka shqetësuar njeri.
Ne do t’i nxjerrim në vijim të gjitha lidhjet që ka me Dervishin, çfarë ka bërë me të. Ky është i vogël, por ka bërë maksimumin që të arrihet te dënimi I Skënderbeut. Nuk po përmend emra, për çfarë interesash, por po tregoj rrugën nga po vjen dënimi.
UEFA është institucion por të gjitha shkojnë në një zyrë, janë të lidhur me studion e këtij zotërisë. Ky Leitard është denoncuar për afera korruptive në Spanjë bashkë me djalin e ish presidentit të federatës”, përfundoi numri një i bardhekuqve.