Ndeshja me Jordaninë ditën e nesërme pritet të shërbejë si një test shumë i mirë për trajnerin Panuçi në prag të përballjes delikate me Izraelin katër ditë më vonë për Ligën e Kombeve.
Me këtë rast nesër në Elbasan tekniku italian pritet të hedhë në fushë një formacion eksperimental me shumë ndryshime, duke u dhënë mundësinë lojtarëve me më pak minuta në këmbë në ndeshjet e Kombëtares të shfaqin vlerat e tyre. Strakosha në portë është një garanci, ashtu si Hysaj në mbrojtje. Besimin në këtë repart pritet ta kenë edhe Mavraj, Veseli i cili mund të zëvendësohet nga Dermaku dhe Gjimshiti.
Nga ajo që u pa në stërvitjen para ndeshjes në mesfushë pritet të aktivizohen Xhaka, Basha, Lila dhe Lenjani. Në sulm do të provohen Grezda dhe Gavazaj por nuk përjashtohet aktivizimi i Balajt apo edhe i Uzunit.