Kampionati shqiptar i futbollit është ndalur qysh në 12 mars pas pandemisë së Covid-19, teksa loja më popullore në planet po bëhet gati të rinisë në vendin tonë. 3 qershori është sipas Federatës Shqiptare të Futbollit dita e shumëpritur, atëherë kur do të marrin udhë javët e mbetura deri në fundin e sezonit.
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë aprovimin për rinisjen e stërvitjes nesër, ndërsa ende nuk ka një vendim zyrtar nëse ekipet do t’i rikthehen normalitetit në grup. Ministria kërkon që çdo skuadër të dizinfektojë ambientet e stadiumeve, dhomave të zhveshjes dhe trajnimit, si kusht për rinisjen e garës.
Duket se kjo gjë është plotësuar tanimë, me disa skuadra jo vetëm të Superligës që kanë ndjekur këtë procedurë. Rinisja e futbollit do bazohet në rregulla strikte dhe protokolle higjieno-sanitare, çka është rënë dakord mes palëve.