Nesër, Kategoria Superiore do të çelë javën e shtatë të saj teksa do të luhen tre takime interesante. Partizani pret Teutën në kryeqytet, Tirana luan në transfertë ndaj Flamurtarit, ndërsa Skënderbeu i Ilir Dajës do të përballet me Luftëtarin. Interesant është fakti nëse këtë fundjavë Kridens Metës do t’i besohet apo jo tjetër ndeshje nga elita.
Gjyqtari i njohur ishte protagonist në derbin e së dielës teksa analistët e kryqëzuan për mungesën e penalltisë në favor të Tiranës duke përfunduar ndeshja 1-2 për Partizanin. Analogjia ka treguar se për raste të tilla (Kujtojmë penalltinë e padhënë të Jorgjit për Vllazninë) sektori i arbitrimit në FSHF merr masa duke i dënuar në heshtje këta gjyqtarë. Ndaj pritet me interes të shihet nëse do të ketë ndonjë sanksion për Metën apo do të vijojë të kryejë i qetë punën e tij.