Rexhinaldo Faite ishte një nga lojtarët e përfolur në merkaton e dimrit për t’iu bashkuar Partizanit. Madje pati aq shumë aludime saqë u tha që sulmuesi i njohur ishte bashkuar me të kuqtë në stërvite. Mirëpo në një dalje publike për mediet, presidenti Gaz Demi mohoi kategorikisht që kishin pasur ndonjëherë interes për afrikanin. Madje ai tha që ish-sulmuesi i Kukësit s’është në preferencat e tij e kësisoj nuk do të jetë pjesë e kampionëve. Në fakt një gjë e tillë ndodhi dhe Rexhinaldo s’erdhi në kryeqytet.
Në këto ditë të vështira që po kalon e gjithë bota për shkak të Coronavirusit, të gjithë janë karantinuar në shtëpitë e tyre, përfshirë edhe futbollistët. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Rexhinaldo, ndërsa ka tërhequr vëmendjen me stërvitjen intensive që kryen. Çdo ditë, në të njëjtën orë, për gati 1 orë sulmuesi i njohur përgatitet me ritëm të lartë. Duket si një përgjigje kjo për presidentin Gaz Demi, si për t’i treguar se çfarë ka humbur. Në fakt jo vetëm Partizanit, por një sulmues si Rexhinaldo i mungon gjithë Superiores.