Trajneri i njohur në Shqipëri, Sulejman Starova është i ftuar në studion e “Pressing”, në ABC Neës, ku po diskutohet gjatë mbi ecurinë e Kombëtares në këto kualifikuese që sapo përfunduan. “Bobi” në fillim u ndal tek ecuria e Kombëtares, më pas analizoi grupin e lojtarëve si dhe vetë trajnerin Edi Reja. Në fjalën e tij nuk munguan as kritikat mbi zgjedhjen e bërë nga FSHF për trajnerin Panuçi.
Ecuria në kualifikuese:
“Me një fjalë, nuk ta jap dot përgjigjen, sepse ka shumë anë pozitive dhe negative. 10 ndeshje, katër fitore, një barazim, 5 humbje. 13 pikë, por ishte mundësia për 16 pikë që janë shumë, pasi me 14 pikë kanë shkuar në Europian skuadrat, si Finlanda. Nga ana tjetër, kemi lënë pas Andorrën dhe Moldavinë. Duhet ta kuptojmë se në çfarë pozicioni jemi si kombëtare dhe të sqarojmë se çfarë ekipi jemi ne, ekip i madh apo i vogël. Duhen analizuar këto gjëra”, tha Starova.
Trajnerët e Kombëtares:
“Ne shkuam me fat në Europianin e 2016-ës. Sipas mendimit tim, pas periudhës De Biasi, ne u nxituam me vendosjen e Panuçit. Panuçi s’ka qenë i madh, por ka bredh kudo dhe ka bërë emër. Kombëtarja e Shqipërisë ka peshë sot dhe nuk është si para 20 viteve. Gabuam me Panuçin dhe nuk i kishim të qarta objektivat. Nuk kemi luksin e Gjermanisë, Anglisë. Italia pas dështimit vuri Mancinin dhe ishte e qartë: Vetëm lojtarë të rinj! Ne i duam të gjitha, rinovimin, trajnerin etj. Ne duhet të merrnim Rejën direkt, për të bërë rinovimin e skuadrës”, u shpreh Starova.
Grupi i lojtarëve
“Praktikisht, ne kemi bërë një gjë gjysmake. Edhe donim rezultat, edhe rinovim, në një kohë që kemi ende disa lojtarë që nuk janë rinovuar. Futbolli do kohën e vet. Në rast se ne do të vendosnim Rejën në krye që në fillim e t’i thonim këtë edicion duhet rinovuar skuadra, ky është i vetmi objektiv. Po të ishte vendosur Reja që në fillim, duhet t’i kishim vendosur objektivin që në fillim e jo të jemi gjysmakë. Jemi në një fazë kur duhet bërë skuadra nga e para”, shtoi Starova.
Skema e Rejës me 3-5-2.
“Për mendimin tim, me skemën 3-5-2, Hysaj është jashtë loje. Ai nuk po luan me këtë skemë të Napoli, nuk po luan te Shqipëria. Ai pozicion, kjo lloj skemë, e nxjerr jashtë loje Hysajn dhe Roshin. E dimë të gjithë se Roshi i duhet Shqipërisë.
Duhet skemë 3-4-3, pasi cfarë bënë dy sulmuesit me Francën? Sikur jemi skuadër e madhe ne. Bëje 3-4-3, Hysaj dhe Roshi në një krah. Ne duhet të kuptojmë se sapo e kemi ndërtuar Shqipërinë”, përfundoi Sulejman Starova.