Pavarësisht se Shqipëria humbi në Finlandë me shifrat 1–2, në sfidën e vlefshme për Ligën e Kombeve, Liga C, kuqezinjtë e drejtuar nga Rolando Maran demonstruan lojë të bukur dhe ishin tepër të rrezikshëm në fazën ofensive.
Nëse i referohemi rrezikshmërisë së Shqipërisë ndaj finlandezëve, para se të merrte karton të kuq portieri ynë, Etrit Berisha, kuqezinjtë po rezultonin dominues, jo vetëm në qarkullimin e topit, por edhe sa i përket rrezikshmërisë për të “tronditur” portën mike.
Pas “përjashtimit” të Berishës nga fusha e blertë, për atë ndërhyrje të panevojshme, ndeshja mori tjetër rrjedhë, sikurse gafa e Alen Sherrit te goli i pësuar. Gjithsesi, trajneri Rolando Maran u tregua “strateg”.
Përtej faktit që i besoi si mesfushor të majtë Stavro Pilios, teksa ky i fundit ka si rol natyral mbrojtësin e majtë, trajneri italian hodhi në fushë Mirlind Dakun dhe Myrto Uzunin.
Ndonëse ishim në inferioritet numerik, Daku pati shansin e artë për të shënuar dhe barazuar ndeshjen, ama gaboi, kurse Uzuni u “dënua” padrejtësisht për atë penallti të mohuar në minutën e 79-të.
Në statistikat e përgjithshme, Shqipëria goditi 5 herë brenda kuadratit rival, kundër Finlandës, e cila e bëri këtë vetëm 3 herë. Sa u përket mundësive për të shënuar, bazuar në rastet e krijuara (xG), Shqipëria regjistroi 1.15, ndërsa Finlanda 0.56.
82' - Rast flagrant i shpërdoruar nga Mirlind Daku përballë portierit rival
79' Pretendime për penallti te Shqipëria, arbitri ndëshkon me të verdhë Myrto Uzunin për simulim.
26' - Portieri Alen Sherri bën gafë në golin e barazimit
22' Gabim trashanik nga portieri Berisha, arbitri e nxjerr me kartonin e kuq pas ndërhyrjes.






