Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

KOMBETARJA

Paralajmërime të forta drejt Finlandës dhe Bjellorusisë, 19 golat motivojnë Maran

Shkruar nga NEWSPORT
Paralajmërime të forta drejt Finlandës dhe Bjellorusisë, 19
Kombëtarja, Rolando Maran

Kombëtarja shqiptare do të rikthehet në fushë për dy ndeshjet e muajit nëntor, atë me Finlandën që do të luhet më datë 12 në stadiumin “Air Albania” dhe tre ditë më vonë në transfertë përballë Bjellorusisë. Dy takime tepër të rëndësishme me vlerën e kreut të grupit dhe rritjen e shanseve për kualifikim në Europianin e 2028-tës.

Trajneri Rolando Maran ka marrë të gjithë kohën e nevojshme në dispozicion për të kryer monitorime, për të bërë analiza në bazë statistikash dhe për të krijuar idenë se si duhet të formohet “kordoni” i lojtarëve për t’i patur të gatshëm për këto dy përballje. Shumë lojtarë të cilët kanë shkëlqyer, ndërsa fokusi mbetet tek sulmi, ai që po jep shkëndija.

Ernest Muçi mbetet briliant në Turqi, sikurse Taulant Seferi. Jasir Asani tregon se i ka instiktet aktive, ndërsa Cristian Shpendi po shpalos nga ndeshja në ndeshje “brumin” prej golashënuesi. Edhe Mirlind Daku qëndron në të njëjtat kuota vlerësimi, po ashtu edhe Indrit Tuci që po zhbllokohet në Slloveni.

Të gjithë po shënojnë dhe kjo është një arsye pse Maran duhet të ndihet i qetë për atë çfarë pret kur të gjithë këta të rikthehen në grumbullim, gjithnjë duke pritur verdiktet e trajnerit italian për listën që do të shpallë të shtunën. Motivi është i madh, sikurse dhe kërkesa për të arritur tek objektivat. 19 gola në kalkulim dhe një shpresë e ndezur në radhët e kuqezinjve se e njëjta ecuri do të konvertohet edhe përballë Finlandës dhe Bjellorusisë.

Pritet shumë në fakt nga të gjithë sulmuesit, pa përjashtim, pasi në mes është një mision shumë i madh ku duhet kontributi i të gjithëve. E kur Shqipëria ka nevojë për golat që të arrijë tek objektivi, legjionarët duhet të shprehin potencialin e tyre, njëjtë siç bëjnë me skuadrat respektive, për të merituar emrin në listë.

Lexo gjithashtu