Sonte e gjithë vëmendja do të fokusohet te ndeshja e Shqipërisë përballë Finlandës. Ndeshja e parë direkte mes dy skuadrave të cilat “luftojnë” për kreun e grupit që i ngjit automatikisht në Ligën B dhe shanse më shumë për një pozicion të favorshëm në kualifikueset e Europianit.
Kuqezinjtë e kanë studiuar mjaftueshëm kundërshtarin, i cili ndryshe nga rivalët e kalueshëm si Bjellorusia dhe San Marino, mbartin një tjetër temparament në fushën e lojës, nëse analizojmë nivelin dhe klimën që u shkon në favor.
Rolando Maran në anën tjetër ka bërë bilancet e veta sa i takon grupit me të cilin ka punuar gjatë këtyre ditëve. Në mesin e shumë zgjedhjeve të detyrueshme taktike dhe pranisë së plotë të pjesës tjetër, italiani e ka të qartë në idenë e tij se si do të hidhen kuqezinjtë në fushën e lojës, me objektivin e vetëm për të dalë me pikë të plota nga Helsinki.
KREU, DOMOSDOSHMËRI – Vendi i parë në grup është pika e parë ku nis gjithçka në sfidën e sotme. Shqipëria ia doli t’ia marrë kryesimin Finlandës, pasi kjo e fundit u ndal në barazim pa gola përballë Bjellorusisë, ndërsa skuadra jonë përfitoi në momentin e duhur për t’i dhënë “shqelmin” San Marinos në transfertë 0-3. Dhe në rast se mundësia që të është dhënë për ta mbrojtur të jepet sërish, do të ishte fatale që kreu të rrëshkasë nga duart në momentin më vendimtar.
46 VITE, KOHA PËR PRISHJE “MALLKIMI”- Kanë kaluar shumë që prej fitores së fundit në tokën e Finlandës. Një arsye më shumë pse 3 pikët janë nevojë dhe kërkesë “ekstra” për të prishur bilance të cilat nuk janë prekur më parë. Dhe pikërisht në stadiumin “Olympic”, shansi që jepet duhet shfrytëzuar në maksimum. Duke përfituar dhe nga ndalesa e rivalit me të cilin do të zbresim në fushë, kuptohet që skuadra jonë kuqezi ka të gjitha mundësitë për ta bërë “fakt të kryer” fitoren.
NUK KA DY PA TRE – 6 pikë u morën nga dy përballet e para. Detyra të zbatuara me sukses dhe që fokusin e mban e treta. E treta, më e rëndësishmja, sepse nga kjo sfidë caktohet përfundimisht se kush do të mbajë kreun e grupit dhe t’i garantojë vetes një vend në Ligën B dhe një shans më shumë në kualifikueset e Europianit. Një objektiv që mbetet edhe misioni i veçantë i kuqezinjve për ta përmbushur.
EUROPIANI – Shkuam në Francë për herë të parë, provuam shanset edhe në Gjermani, ndërsa “thërret” Euro 2028 që do të mbahet në Angli, Uells dhe Irlandë e Veriut. Nuk është “terren” që nuk është shkelur më parë nga Kombëtarja shqiptare dhe sigurisht, eksperienca ekziston tek lojtarët që të bëjnë maksimumin për të tentuar një Europian të tretë. Me Gianni De Biasin ia dolëm, njëjtë si me Sylvinhon. Tashmë, “stafeta” i përket Rolando Maran nëse do të ketë shansin për të udhëhequr skuadrën shqiptare në arenën më të rëndësishme europiane.






