Ernest Muçi po përjeton momentin më të mirë në karrierë. Me skuadrën e Trabzonspor, ditën e djeshme, bomberi shqiptar shënoi gol “anormal” kundër Gaziantep, në javën e 10-të të Superligës turke.
Në minutën e 61-të, sulmuesi i Kombëtares, nga një distancë e konsiderueshme, lëshon “predhën” me të djathtën, teksa topi në lëvizje mori trajektoren e cila ia bëri të pamundur portierit rival për ta ndalur, shoqëruar me presionin.
Ekzekutim të tillë, gati identik, ka shënuar edhe Cristiano Ronaldo kur ishte pjesë e Manchester United. Konkretisht, më datën 27 nëntor të vitit 2007, kur Manchester përballej me Sportingun e Lisbonës në Champions League, në stadiumin “Old Trafford”.
Edhe pse “CR7” e shkelmoi topin në pozicion fiks, pra me goditje standarde, ndryshe nga Muçi, ekzekutimi është i njëjtë, sikurse trajektorja e topit.






