Qendërsulmuesi shqiptar, Indrit Tuci, po zhvillon sezon pozitiv te NK Olimpija në elitën e futbollit slloven, 4 gola në 9 ndeshje të kampionatit. Në një prononcim të fundit për Ora News, në emisionin “Sport Focus”, ai u shpreh:
“Forma e mirë dhe golat janë fryti i punës që po bëj jo vetëm këtu në Slloveni, por për shumë vite. Jam shumë i lumtur që po performoj kaq dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Normalisht, dëshira më e madhe është të grumbullohesh me Kombëtaren.
Më vjen inat që e humb rastin e fundit për shkak të dëmtimit. Pastaj i thua vetes: ‘Duhet të jap më shumë’. Dua të ndihmoj me sa mundem Shqipërinë, të jem gati dhe të pres ftesën ndoshta.
Kontakte të drejtpërdrejta me trajnerin Maran nuk kam pasur, sepse jemi shumë futbollistë. Nuk e pres ftesën aq shumë, sepse e di që konkurrenca në majë të sulmit është e madhe dhe Manaj, Daku e Shpendi po paraqiten shumë mirë.
Kjo i bën mirë Kombëtares, sa më shumë konkurrencë, aq më mirë. Edhe me ftesë edhe pa ftesë, unë i njëjti do jem, do jap maksimumin. Mirë për mua do të ishte që ta marr ftesën. Nëse nuk është, nuk ka problem.
Ndryshimi Maran me Sylvinhon? Deri tani më ka pëlqyer shumë në Ligën e Kombeve. Ai kartoni i kuq në Finlandë… Edhe me 10 lojtarë në Helsinki bënë shumë mirë, më kanë surprizuar, nuk e prisja.
Kam folur edhe me lojtarët e Kombëtares, janë të kënaqur me trajnerin Maran. Deri tani duket shumë mirë, pastaj të shohim”.






