Elseid Hysaj vijon të jetë pa ekip që prej largimit nga Lazio në muajin korrik. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare po shqyrton opsionet për të ardhmen, por deri tani ka refuzuar disa oferta konkrete.
Fillimisht, 31-vjeçari nuk arriti marrëveshje financiare me Leccen, ndërsa më pas i tha “jo” edhe Egnatias, e cila i kishte ofruar një kontratë me pagë rreth 500 mijë euro në sezon.
Sipas gazetarit italian Lorenzo Lepore, oferta e radhës e refuzuar ka qenë ajo e Ascolit. Klubi i Serie B, që synon ngjitjen në elitën e futbollit italian, provoi të siguronte shërbimet e Hysajt, por pa sukses.
“Ascoli i ka dërguar një ofertë, e cila u refuzua nga lojtari për arsye ekonomike. Megjithatë, ai mbetet i hapur ndaj një transferimi”, shkruan Lepore.
Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se Hysaj po vlerëson edhe mundësinë e një aventure në Rusi, ku disa klube kanë shfaqur interes për ta afruar si lojtar të lirë.






