Irgi Kasalla bëri hapin e tij të madh duke u transferuar verën e kaluar te Kolos Kovalivka në Premier League-n ukrainase. pas një sezoni impresiv me ekipin e Vorës në Superiore, sezoni i parë i vorakëve në elitën e futbollit shqiptar. Një eksperiencë e re për mesfushorin nga Kruja, i cili doli si zbulim nga surpriza e kampionatit shqiptar, ndërsa këtë edicion po bën gjithashtu mjaft mirë me skuadrën ukrainase.
Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, na tregon pak nga përvoja e re me Kovalivkan në Premier League, komentet mbi Vorën në këtë sezon të ri, si dhe ambiciet personale që ka për të ardhmen, aty ku 24-vjeçari ngre stekën dhe sheh veten në ligat më konkurruese të Europës.
Si ka shkuar deri më tani eksperienca te Kolos?
Eksperienca tek Kolos është e para e imja jashtë vendit dhe gjithçka po shkon shumë mirë. Përshtatja me kampionatin ishte pak e vështirë sepse kampionati këtu është shumë ndryshe nga ai i Shqipërisë.
Krahasim me Superioren, si të është dukur niveli i kampionatit?
Kampionati këtu me atë të Shqipërisë i ndryshon ritmi i cili është shumë më i lartë se ai i Shqipërisë dhe ka ekipe me nivel shumë më të lartë.
Përshtatja me ekipin e ri, ju ka ndihmuar Arinaldo Rrapaj, një ish i Superiores?
Gjetja e shqiptarëve të tjerë në ekip patjetër më ka ndihmuar. Rrapaj po ashtu dhe Tahiri më kanë ndihmuar me ambientimin dhe të kuptoj më mirë çfarë trajneri kërkon nga lojtarët.
Në ambiciet personale dhe ato kolektive, çfarë presim nga Kasalla këtë sezon?
Si sulmues i majtë që jam këtë vit dua të shënoj gola dhe të jap asiste sa më shumë.
Ndalojmë pak te Vora, e keni ndjekur? Si e lexoni situatën e tyre në këtë fazë të kampionatit?
Ekipin e Vorës e kam ndjekur çdo ndeshje dhe këtë fazë të parë kanë performuar mirë. Vora është ekip që bazohet tek lojtaret me moshë të re të cilët kanë talent dhe dëshirë.
Stafetën e golashënuesit ia keni lënë Bernard Karricës, keni qenë shok skuadre. Çfarë do ti thonit në këto çaste?
Jam i lumtur për Karricën që po bën mirë. Është një djalë fantastik. Dhe vitin e kaluar do ishte tek golashënuesit më të mirë, por dëmtimi që kaloi nuk e lejoi.
A do ta shohim Kasallën akoma më lart në karrierë, ku i ke ambiciet?
Për sa i përket karrierës, dua që të luaj në 5 ligat më të mira të Europës.






