Lënia jashtë e Thomas Strakoshës nga lista e AEK-ut të Athinës për sfidën e parë në Champions League, ngriti dyshime mbi gjendjen e tij fizike. Vendimi i trajnerit serb Marko Nikolic i la të gjithë të shtangur, teksa skuadra greke ia doli të fitojë minimalisht 1-0 përballë austriakëve të LASK.
Por, si paraqitet situata e portierit të Kombëtares shqiptare? Përgjigjen e jep media greke “Sport24” që përshkruan diagnozën e dëmtimit të Strakoshës dhe periudhën që atij do t’i nevojitet për t’u rikuperuar plotësisht. 31-vjeçari ka pësuar një thyerje në kyçin e dorës.
Kohëzgjatja e qëndrimit jashtë fushe pritet të jetë deri në ndeshjet kombëtare, që përkon me ndalesën e kampionateve në ligat europiane. Më konkretisht, Strakosha nuk do të jetë në dispozicion të AEK-ut për tre ndeshjet e radhës ndaj Asteras Tripolis (jashtë), Panserraikos (në shtëpi) dhe Volos (jashtë).
Kthimi i tij në fushë, gjithnjë referuar kësaj medie, mendohet të jetë në muajin tetor, kur AEK-u të "masë forcat" përballë OFI-t në Superkupën e Greqisë. Sa i takon Kombëtares, rikthimi i saj pritet më 26 shtator kur do të sfidojë Bjellorusinë në "Air Albania", ora 20:45 dhe ndaj San Marinos në transfertë më 29 shtator, po e njëjta orë.






