Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LEGJIONARËT

9 golat që “zgjojnë” Rolando Maran, sulmuesit shkaktojnë “drithërima” me klubet respektive (STATISTIKAT)

Shkruar nga NEWSPORT
9 golat që “zgjojnë” Rolando Maran, sulmuesit
Taulant Seferi - Ernest Muçi - Myrto Uzuni - Mirlind Daku

Muaji shtator përkon me rikthimin e Kombëtares shqiptare në fushën e lojës, për dy ndeshjet që do t’i luajë përballë Bjellorusisë më datë 26 dhe ndaj San Marinos më 29.

Padyshim, një rëndësi të madhe për trajnerin Rolando Maran do të kenë sulmuesit, ndërsa vlerësimet nga ana e italianit janë duke u bërë që prej ditës së parë kur mori “frerët” e skuadrës kuqezi.

Kjo periudhë vlen akoma dhe më shumë për Maran, nëse i referohemi nisjes së sezonit të ri në kampionatet respektive, e sidomos për formën që po shfaqin lojtarët.

UZUNI “SHPËRTHEN” NË AMERIKË

Sulmuesi beratas shënoi 3 gola përballë Pueblas, në fitoren e pastër të Austin në Leagues Cup. Nëse shohim mënyrën se si janë realizuar këto raste dhe vendosjen e Uzunit në këto aksione, kupton se ai është duke përjetuar një moment mbresëlënës. Shto këtu që në total për sezonin e ri numëron gjithsej 4 gola dhe 1 asist.

SEFERI, 2-SHI NUMËR ME FAT

Kaq është distanca mes ditës kur Taulant Seferi u zyrtarizua te Kayserispor dhe ditës kur bëri debutimin në fushë përballë Vanspor. Po ashtu, kaq është dhe numri i golave të shënuar që në debutimin e parë. E nisi si titullar dhe la shenjë në të 9-tën minutë. Të dytin e shënoi në minutën e 56-të. Nuk kishte si të shkonte më mirë për Seferin që jep mesazhe të qarta për "urinë" e golave.

MIQËSORE? PËR MUÇIN GOLAT NUK NJOHIN STATUS

Ernest Muçi e nisi aty ku e la, me gola dhe dëshirën e madhe për t’u konfirmuar akoma dhe më shumë në elitën e futbollit turk. Edhe pse “sirenat” e largimit janë ende të pranishme nga Italia, Gjermania dhe Anglia, Muçi jeton të tashmen dhe këtë e konfirmojnë paraqitjet në miqësoret e zhvilluara me Trabzonsporin. Shënoi përballë Udineses dhe Zelesnicar, ndërsa dhuroi një asist përballë Goztepes.

MIRLIND DAKU, 2 GOLA NË NISJE PARA KALIMIT TE MOSKA

E nisi shkëlqyeshëm me dy gola në dy ndeshje, ndërsa brenda pak ditëve u zyrtarizua te Spartaku i Moskës pasi la Rubin Kazan. Forma e Dakut mbetet e kuptueshme dhe shenjë e qartë se lojtari i ka “ndezur motorët”, edhe për Kombëtaren. Ndonëse nuk la gjurmë në sfidën e fundit me Spartak, vlerat e Dakut njihen tashmë.

Poll

Lexo gjithashtu