GIVOVA do të jetë sponsori zyrtar i projektit “Uniforma Ime” për katër vitet e ardhshme, në kuadër të një marrëveshjeje të re sponsorizimi që synon të mbështesë zhvillimin e futbollit bazë dhe aktivitetin sportiv në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Marrëveshja do të jetë në fuqi nga 1 korriku 2026 deri më 30 qershor 2030, duke sjellë një mbështetje të rëndësishme për strukturat rajonale të futbollit dhe mijëra sportistë, trajnerë e arbitra që angazhohen në aktivitetet e futbollit.
Nëpërmjet projektit “Uniforma Ime”, GIVOVA do të furnizojë me veshje dhe pajisje sportive Shoqatat Rajonale të Futbollit në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Lezhë dhe Shkodër.
Përfitues të këtij partneriteti do të jenë futbollistët amatorë, lojtarët e ekipeve të futbollit bazë, trajnerët dhe pjesëmarrësit në kurset e licencimit, të cilët do të pajisen me uniforma dhe materiale teknike sportive.
Përtej furnizimit me veshje dhe pajisje, partneriteti synon të kontribuojë në rritjen e cilësisë së organizimit të aktiviteteve sportive, forcimin e strukturave rajonale dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit në komunitete të ndryshme.
Falë kësaj marrëveshjeje, GIVOVA do të jetë e pranishme në aktivitetin e futbollit në të gjithë Shqipërinë, duke shoqëruar ndeshjet, turnetë dhe aktivitetet e futbollit bazë përgjatë katër viteve të ardhshme.
Partneriteti përmes “Uniforma Ime” synon të sjellë një vlerë të drejtpërdrejtë për futbollin në bazë, aty ku mijëra fëmijë, të rinj dhe sportistë të apasionuar zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe ku ndërtohet baza e së ardhmes së futbollit shqiptar.






