Tashmë është bërë e ditur axhenda e Kombëtares për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, atë me Finlandën në “Air Albania” dhe me Bjellorusinë jashtë. Ajo çfarë vlen të përmendet është dita e shpalljes së listës nga trajneri Rolando Maran, e caktuar këtë të shtunë, më 7 nëntor, ora 11:00. Një ditë vendimtare që do të vendosë shumë për objektivat e skuadrës kuqezi në misionin për të ruajtur kreun e grupit dhe për të hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në Europianin e ardhshëm. Pikërisht, emrat e lojtarëve që do të ftohen në këto duele mjaft të rëndësishme, do krijojnë indicien se sa peshë do të ketë çdo vendim i Maran.
Sulmi po përgjigjet mjaft mirë - Duke filluar që nga Ernest Muçi e vazhduar me Rey Manaj, Taulant Seferi, Mirlind Daku, Cristian Shpendi, të gjithë protagonistë me gola dhe asiste në kampionatet respektive. Nuk mund të lihen pa përmendur edhe Indrit Tucin në kampionatin sloven si dhe rikthimi i konfirmuar i Jasir Asanit. Të gjithë sulmuesit kanë dhënë sinjalet e duhura në momentin e duhur, pikërisht ajo çfarë Maran pret prej tyre edhe në këto dy sfida delikate.
Mesfusha plot fantazi - Lajm pozitiv mund të konsiderohet rikthimi te goli i Nedim Bajramit tek Al Tawooun në Arabinë Saudite, ndërsa Qazim Laçi mbetet po i njëjti në lartësinë e tij të zakonshme. Supergoli i shënuar përballë Trabzonspor, flet shumë për instiktet e tij “vrastare”, shenjë kjo e mirë për repartin e mesfushës. Gjithashtu, paraqitjet e qëndrueshme të Kristjan Asllanit në Emiratet e Bashkuara, ajo e Ylber Ramadanit në Turqi, shtojmë këtu edhe Julian Shehun, janë tregues që Rolando Maran mund të ndihet i qetë për zgjedhjet në mesin e fushës.
Mbrojtja mes formës dhe pikëpyetjeve – Në këtë pikë që jemi, duke marrë për bazë edhe rendimentin, minutat dhe vlerën e shfaqur në fushë, mund të përmenden Stavro Pilo i AEK-ut, Mario Mitaj te Genoa dhe Berat Gjimshiti me Al Diriyah. Ismajli gjithashtu ka patur minuta me Torinon, ndërsa shqetësim mbetet Elseid Hysaj i cili ende nuk ka një ekip me të cilin të aktivizohet, momentalisht lojtar i lirë që kur ndërpreu kontratën me Lazion edicionin e kaluar. Po ashtu, rikthimi i Marash Kumbullës shton dilemat e trajnerit, sikurse aktivizimi i shpeshtë i Ivan Balliut në të njëjtën skuadër, Rayo Vallecanon.
Porta, repart delikat – Shqetësimi më i madh për skemat e Rolando Maran vjen nga kuadrati. Thomas Strakosha, titullari i padiskutueshëm që sapo u shpall portieri më i mirë i vitit në Greqi, do të jetë një mungesë e sigurt për shkak të një dëmtimi më të rëndë nga sa parashikohej. Në këto kushte, alternativat e mbetura si Etrit Berisha, Alen Sherri apo i riu Klidman Lilo përballen me një ngarkesë të madhe psikologjike, duke qenë se vuajnë për minuta të rregullta në klubet e tyre. Çdo zgjedhje e Maran në portë do të ketë peshë specifike, pasi Finlanda dhe Bjellorusia janë rivalë që dinë të ndëshkojnë në rastin më të vogël të pakujdesisë.






