Usain Bolt beson se do të ishte edhe më i shpejtë nëse do të garonte në kushtet e atletikës moderne. Ish-sprinteri xhamajkan, i pranishëm në Budapest si ambasador i garës “Ultimate Championship”, deklaroi se teknologjia e re do ta ndihmonte të përmirësonte rekordet e tij.
“Do të kisha vrapuar pak më shpejt se 9.40 sekonda në 100 metra. Ndërsa në 200 metra, ndoshta do të kisha zbritur nën 19 sekonda”, u shpreh Bolt.
Rekordmeni botëror i 100 dhe 200 metrave tregoi se vazhdon të ndjekë me interes atletikën, ndërsa pranoi se në fillim të karrierës ishte mbështetur më shumë te talenti sesa te puna. Megjithatë, 40-vjeçari nuk mendon se rekordet e tij janë në rrezik të afërt.
“Jo së shpejti. Nuk shoh askënd që të jetë në gjendje t’i thyejë”, tha me bindje legjenda xhamajkane.






