Sezoni 2010-2011 ishte periudha që shënoi fundin e hegjemonisë së skuadrave të kryeqytetit në futbollin shqiptar, teksa “lufta” për titullin kampion u zhvillua në dy fronte midis Flamurtarit dhe Skënderbeut. Rritja e investimeve te të dy klubet nga ish-presidenti i Skënderbeut Agim Zeqo dhe ish-kryetari i Bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika rritën ambiciet e të dyja klubeve për të ngritur titullin kampion të Kategorisë Superiore. Derbit të kryeqytetit Tirana-Partizani , “klasikes” së futbollit shqiptar Tirana-Vllaznia do t’i shtohej dhe një kapitull i ri: rivaliteti I flaktë midis bardhekuqve e kuqezinjve.
Por kur nisi të merrte formë ky konflikt që kaloi dhe limitet e futbollit duke ngjizur në vetvete pakënaqësi, urrejtje dhe akuza të panumërta? Në 7 nëntor të 2010, Flamurtari priste në shtëpi Skënderbeun. Kuqezinjtë kishin krijuar një skuadër kompakte dhe konkuruese duke grumbulluar emra me eksperiencë në Kategorinë Superiore si (Daniel Xhafaj, Bledar Devolli, Julian Ahmataj, etj.) të cilët me pozitën e “specialistit” të fitores së titullit krijuan besimin se pas 2 dekadash kurora e “mbretit” të futbollit shqiptar do të mbërrinte në Vlorë. Nga ana tjetër edhe Skënderbeu kishte transformuar ekipin duke u plotësuar me emra si Orges Shehi, Bledi Shkëmbi, Gjergj Muzaka të cilët kishin përfaqësuar Partizanin dhe Tiranën, ekipe me reputacion dhe hegjemonë në futbollin tonë. Vlonjatët i komandonte Gugash Magani, trajner i rreptë dhe i ndërgjegjshëm për misionin që kishte marrë përsipër atë sezon. Korҫarët kundërpërgjigjeshin me Shkëlqim Muҫën, që e dinte mirë domethënien e prestigjit të kampionit pasi kishte fituar në karrierë plot 8 tituj në stolin e Tiranës dhe vetëm një vit më parë shpalli për herë të 18-ë Dinamon kampion. Pavarësisht se ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares kishte një “CV” totalisht të pasur me sukses, ky fakt nuk e stepte Maganin, i cili ishte në hapat e para të karrierës si trajner dhe kishte drejtuar më parë Shkumbinin. Ballafaqimi i parë serioz erdhi pikërisht në atë pasdite vjeshte të 7 nëntorit, gati 9 vite më parë.
Prej ditësh, atmosfera në Vlorë po gjallërohej nga sfida e “peshave të rënda” me Skënderbeun. Stadiumi i Flamurtarit ishte përgatitur në mënyrë perfekte për t’i dhënë besim në fushë ekipit kuqezi. Pasi skuadrat zbritën në fushë, sytë u drejtuan te topi që do të shkelmohej. Me rënien e bilbilit, tifozët kuqezi zbrazin entuziazmin në shkallët e stadiumit. Ҫdo aksion, ҫdo dyluftim, ҫdo vendim i arbitrit shoqërohej me reagime nga shkallët e stadiumit. Flamurtari e kontrollon lehtësisht lojën dhe në minutën e shtatë presioni i kuqezinjve në portën e Skënderbeut i detyron këta të fundit të shkaktojnë faull në hyrje të zonës që mbrohej nga Shehi. Goleadori Daniel Xhafaj nuk u mendua gjatë dhe ekzekutoi me të parën një goditje perfekte që e la ish-gardianin e Skënderbeut të shtangur në vend dhe të shihte “shëtitjen” e topit nga shtylla brenda në rrjetë. Nga shkallët e stadiumit brohoritjet e ekstazës së golit pushtojnë mbarë qytetin. Vlonjatët festojnë, ndërsa Skënderbeu e gjen veten jo vetëm në disavantazh, por totalisht të ҫoroditur për t’u kundërpërgjigjur. Flamurtari luan me ritëm të lartë dhe përfundimi i pjesës së parë i dërgon të karikuar në dhomat e zhveshjes skuadrën e Maganit.
Bregdetarët nuk e ndiejnë lodhjen dhe e kuptojnë që takimi ka ende shumë për t’u parë. Atmosfera elektrizuese në stadium u shton energjitë lojtarëve të Flamurtarit, të cilët ndërmarrin rresht aksione njëri-pas tjetrit. Pavendosmëria e detyron mbrojtësin Alban Dragusha të pengojë Daniel Xhafajn dhe arbitri akordon direkt penallti. Kapiteni Artan Sakaj e merr qetësisht penalltinë dhe e shtyn lehtësisht topin në rrjetë për të vendosur se 3 pikët qëndrojnë në Vlorë. Megjithatë, ekipi mendon të shpërblejë përkrahjen e tifozëve dhe nuk kënaqet me avantazhin e dy golave. Duke parë kundërshtarët me një lojtar më pak, që prisnin rënien e bilbilit, Flamurtari e kthen ndeshjen në “one man show”. Pas më shumë se një ore lojë, vlonjatët fitojnë sërish goditje dënimi dhe këtë herë Xhafaj ia lë radhën anësorit të ri Gerhard Progni, që ndien se goditja e tij do të jetë e saktë. Futbollisti shënjestron saktë cepin e portës së Shehit dhe fikson shifrat në 3-0. Rezultati i pastër dhe minutat e tëra në dispozicion e nxisin tifozërinë të kërkojë sërish gol. Mesazhin skuadra e Flamurtarit e ka të qartë dhe pas 5 minutash Aleksander Bajevski shtyn lehtësisht topin e ardhur nga krahu i djathtë dhe i vë kapak një takimi që i plotësoi të gjitha kushtet për të qenë një ditë e paharrueshme për tifozët dhe skuadrën.
(Video-ja e golave të ndeshjes)
Duke parë “shtypjen” e lojtarëve të tij dhe triumfin e padiskutueshëm të kuqezinjve, Shkëlqim Muҫa duartroket rivalët për fitoren e merituar duke “firmosur” aktin e kapitullimit në atë sfidë.
Megjithatë, sezoni mori kthesa të panumërta dhe javët e fundit u pushtuan nga polemikat dhe akuzat e Flamurtarit që nuk arriti të mbronte vendin e parë, por në javën e fundit mposhti në Vlorë kampionët e rinj të Superligës për herë të dytë atë sezon. Vlonjatët akuzuan klubin e Skënderbeut dhe FSHF-në për favorizim të bardhekuqve në garën për titull duke sulmuar dhe gjykimin në tre takimet e fundit me Shkumbinin, Bylisin dhe Laҫin.
Nga ai sezon, Skënderbeu hapi një dritare në futbollin shqiptar duke fituar plot 7 tituj kampion dhe dekada e fundit mban vetëm firmën e tyre në futbollin shqiptar. Bardhekuqtë falë investimit dhe zgjedhjeve të kujdesshme që kanë bërë këto vite, jo vetëm kanë dominuar kampionatin por kanë rezistuar fortë rivalëve dhe dënimit të marrë nga CAS-i për fiksim të ndeshjve. Megjithatë, rivaliteti Skënderbeu-Flamurtari pushoi së qeni një luftë pretendetësh për titull dhe për disa vite qëndroi vetëm si sfidë “hesapesh për t’u larë” dhe jo një rivaliteti të shëndoshë. Vlonjatët janë mjaftuar këto vite duke e mundur disa herë në shtëpi Skënderbeun, por asnjëherë nuk krijuan vazhdimësi për të konkuruar denjësisht për titull, pavarësisht se shpenzimet e bëra nuk kanë qenë asnjëherë të pakta. Por, ky rezultat vjen si një ndër humbjet më të thella dhe më zhgënjyese të Skënderbeut, që ka marrë tashmë mbiemrin e merituar “i madh”, pasi e ka vendosur futbollin shqiptar nën diktatin e vet duke mbrojtur fronin ekampionit me vendosmëri.
Fatkeqësisht, për Flamurtarin, sezoni 2010-2011 ishte “aventura e ëmbël” e fundit ku vlonjatët e panë veten pretendentë seriozë për titullin. Sot klubi duhet të rregullojë problemet e brendshme dhe më pas të nisë fushatën transformimit gradual në një ekip elitar që flet vetëm në fushë. Prandaj stadiumi që dikur pa Barcelonën dhe Partizanin e Beogradit të dorëzoheshin pa kushte pret me ankth që një ditë të bëhet sërish “teatri i zhurmshëm” i futbollit./NEWSPORT/